100 vite KLSH, Spiropali: Nënkomision auditimi për sektorin publik. Gonzato: Ndryshimet të jenë në përputhje me legjislacionin e BE

Kontrolli i Lartë i Shtetit shënon 100-vjetorin e krijimit të tij, me fokus në kontrollin dhe llogaridhënien e financave në sektorin publik. Në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të KLSH, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë dhe rolin jetik të këtij institucioni në garantimin e kontrollit financiar në vend.
Spiropali tha se mes Kuvendit dhe KLSH-së është ndërtuar një mekanizëm i ri për rritjen e bashkëpunimit për auditimin e sektorit publik. Ngritja e këtij nënkomisioni, tha Spiropali, synon të krijojë një lidhje më funksionale ndërmjet rolit kontrollues të Kuvendit dhe rolit auditues të KLSH, duke respektuar pavarësinë institucionale.
“Ne po punojmë për forcimin e mekanizmit të zbatimit të rekomandimeve nga institucionet e KE për të forcuar bashkëpunimin mes Kuvendit dhe KLSH. Ky bashkëpunim ka marrë një dimension të ri pas ngritjes së nënkomisionit për auditimin e sektori publik, që synon një ndërlidhje më efektive përmes funksionit kontrollues të Kuvendit dhe funksionit auditues të KLSH duke respektuar pavarësinë e institucionit lidhur me financat publike. KLSH ka treguar angazhim për thellimin e këtij bashkëpunimi duke hapur një drejtori të posaçme në komunikimin me Kuvendin dhe nënkomisioni dhe ndjekja e rekomandimeve të bëhet në mënyrë më efikase”, tha Spiropali.
Nga ana tjetër ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se dispozitat aktuale institucionale përmbushin pothuajse të gjitha kërkesat themelore nga BE, ndërsa për diskutimet për ndryshimin e disa dispozitave kërkoi që ato të jenë “në përputhje të plotë” me legjislacionin europian.
“Ne jemi të kënaqur që shikojmë dispozitat e duhura institucionale sipas Kushtetutës dhe për ligjin e KLSH që këto përmbushin shumicën, në mos të gjitha kërkesat themelore. Ne e dimë që po bëhen diskutime për të harmonizuar disa nga këto dispozita, por më lejoni të theksoj që çfarëdo ndryshimesh që të bëhen ato duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit të BE dhe standardet kombëtare që i aplikohen institucioneve të tilla të kontrollit të shtetit. Roli i KLSH për mbështetjen e parandalimit të mashtrimit, identifikimin e parregullsive në prokurimin publik dhe përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm është thelbësore për të krijuar kulturën e llogaridhënies në administratën publike dhe më lejoni të theksoj rëndësinë e këtij ndryshimi, kulture mendësie. Gjithë puna qëndron te ndryshimi i mendësisë”, tha Gonzato.
Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare për ta bërë veprimtarinë e KLSH më efektive dhe për të rritur transparencën në financat publike ishte gjithashtu një nga synimet e ngritura nga kryeparlamentarja Spiropali.
“Kuvendi do vijojë mbështetjen e tij për të rritur performancën financiare dhe sundimin e ligjit dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit të Shqipërisë. Kuvendit dhe KLSH ndajnë të njëjtit vlerësim se është i nevojshëm forcimi i mbikëqyrjes parlamentare për ta bërë veprimtarinë tuaj më efektive dhe për të rritur transparencën në financimin e financave publike. Sinergjia midis parandalimit dhe ndëshkimit nuk është vetëm kërkesë e Kuvendit , por ka qenë që në hapat e parë të funksionimit të këtij institucioni. Kuvendi është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe do të vijojë të kërkojë kontributin tuaj. Lufta jonë e përbashkët dhe e pakompromisë kundër abuzimeve me financat publike nuk duhet të na step të dallojmë abuzuesit nga shërbyesit korrekt dhe dinjitozë të shtetit që kontribuojnë në zhvillimin e vendit”, tha Spiropali.
Ndërsa ambasadori Gonzato e vuri theksin te rëndësia e funksionimit të KLSH, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gonzato deklaroi se kërkohet që KLSH të jetë e pavarur dhe me burimet e duhura për të kontrolluar të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike.
“Gjatë 100 viteve të fundit e në veçanti gjatë 10-vjeçarit të fundit, KLSH është zhvilluar dhe ka ecur. Rëndësia e punës dhe funksionimit të KLSH në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Roli dhe funksionimi i KLSH mbulohet në mënyrë të posaçme nga kreu i 32, pjesë e grupi-kapitullit Themeloret. Roli i KLSH shkon përtej këtij kreu të legjislacionit të BE pasi luan një rol kyç edhe në vlerësimin që ne i bëjmë sundimit të ligjit, forcimit të drejtësisë. Legjislacioni i BE kërkon që institucionet e kontrollit të lartë të shtetit të jenë të pavarura me burimet e duhura dhe mandatin e duhur për të bërë kontrollin e të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve të fondeve publike, përfshirë ato të BE dhe donatorëve e tjera”, u shpreh ai.
Ambasadori i BE e përmbylli fjalën e tij duke thënë se një institucion si KLSH është gurë themeli për mirëqeverisjen dhe anëtarësimin e vendit në bashkësinë europaine.
“Zbatimi i rekomandimeve të kontrollit dhe fuqizimi i mekanizmave të llogaridhënies institucionale do të jenë standarde shumë të rëndësishme që do të kontrollohen edhe për integritetin e plotë të sistemit të menaxhimit të financave publike. Presim vijimësinë e bashkëpunimit me KLSH, duke e ditur që një institucion si KLSH, i besueshëm, i pavarur dhe efektiv është gur themeli për mirëqeverisje dhe anëtarësimin në Bashkimin Europain”, u shpreh Gonzato.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




