147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Begaj dhe Kurti: Nyje që lidh kombin

Kosovë | 1 vit më parë

Në një ceremoni të veçantë është përkujtuar 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i  Shqipërisë, Bajram Begaj e vlerësuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si bazën për bashkim të shqiptarëve.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj date për kombin shqiptar, duke e konsideruar si themelin e lëvizjes për bashkim dhe pavarësi kombëtare

Begaj vuri në dukje se  Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një kombi dhe se ecin përpara së bashku në rrugën drejt integrimit evropian.

“Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, për mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve kudo ata janë dhe jetojnë. Ajo lindi si nevojë jetike për të mbrojtur trojet tona, identitetin dhe të drejtën tonë për ekzistencë dhe dinjitet.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte një thirrje për bashkim, mbrojtje dhe vetëdije kombëtare.
10 qershori 1878 nuk ishte thjesht një mbledhje e prijësve shqiptarë, ishte shprehje e krenarisë, e përkatësisë dhe vetëdijes evropiane të një populli me histori të lashtë, kulturë unike dhe me vullnet politik për të vendosur vetë mbi fatet e tij.

Lidhja e Prizrenit shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.
Në atë kohë, kur fuqitë ballkanike po përgatiteshin të ndanin territoret shqiptare, burrat e dheut, nga të gjitha anët e Shqipërisë etnike, u mblodhën në Prizren për të ngritur zërin e kombit tonë.

Ata nuk kishin fuqi të mëdha pas vetes, por kishin guximin, kishin vullnetin dhe besimin për të mbrojtur të drejtën e tyre për ekzistencë, gjuhë dhe territor, kishin dashuri për këtë vend, kishin dashuri për Shqipërinë, kishin dashuri për shqiptarinë”, u shpreh Begaj.

Nga ana e tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo datë historike është një nyje që bashkon shqiptarët me njëri-tjetrin.

“Lidhjen Shqiptare e gjejmë autenticitetit politik, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjejmë shpirtin kryengritës për mbrojtjen e trevave shqiptare”, tha Kurti.

Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.

Lidhja e Prizrenit u themelua zyrtarisht më 10 Qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.

Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke dhe për këtë arsye shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme