2 vite nga sulmi në Banjskë, BE: Serbia të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë

Në dy vjetorin e sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, BE ka kërkuar që autoritete serbe të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës.
BE tha se ky sulm kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon, ndërsa shtoi se pret nga Serbia të bashkëpunojë me autoritete e Kosovës për të vënë para drejtësisë autorët e sulmit.
“Ne presim që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht ata që gjenden në Serbi me akuza përkatëse para një gjykate në Serbi. Ende nuk kemi pranuar një përgjigje nga autoritetet serbe. Ne presim që Serbia të bashkëpunojë për këto kërkesa përmes kanalit për ndihmë të ndërsjellë juridike” tha Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për Radio Evropa e Lirë.
Thirrje, që autorët të dalin para drejtësisë, ka bërë edhe Ambasada e Francës në Kosovë, duke kujtuar dy vjetorin e sulmit në Banjskë.
“Dy vjet pas sulmit kriminal në Banjskë, që ia mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku, mendimet tona janë me familjen e tij. Franca vazhdon të bëjë thirrje që autorët e këtij sulmi vdekjeprurës të sillen para drejtësisë”, shkruan ambasada franceze në Prishtinë.

Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë, Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi të organizuar nga një grup serbësh të armatosur. Me gjithë përgjegjësinë e marrë nga Radoiçiq për këtë sulm, ai vazhdon të jetojë i lirë në Beograd, pa u ndëshkuar nga autoritetet serbe.
Më herët edhe udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm.
Kosova ka ngritur aktakuza ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, por vetëm tre prej tyre janë duke u gjykuar, ndërsa të tjerët mbeten të paarritshëm për autoritetet kosovare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




