2,5 vite më shumë jetë nga check-up dhe kufizimi i duhanit, Gjonça: Kontrolli periodik bazë edhe në “parësor”

Sociale | 2 vite më parë

Kontrolli bazë shëndetësor dhe ligji antiduhan duket se kanë prodhuar shëndet për shqiptarët.

Në këtë përfundim kanë rezultuar të dhënat e analizuara nga profesori Arjan Gjonça, nga Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër (LSE), i cili solli ekspertizën e tij në një nga panelet e kongresit të parë ndërkombëtar të shkencave të shëndetit.

Dikur joaprovues i politikës së check-up për shkak të frikës së lëvizjes së investimeve nga mjeku i familjes në drejtim tjetër, sot ai referon se matjet treguan rritje të jetëgjatësisë më dy vite e gjysmë jetë më shumë tek njerëzit që nuk vuajnë nga ndonjë paaftësi fizike.

“Në fakt po shohim se ajo politikë, me analizën e të dhënave që kanë bërë kolegët e Institutit të Shëndetit Publik, por edhe ne [në “London School of Economics & Political Science”], ka pasur një efekt të madh. Ka ulur shumë sëmundjet kardiovaskulare, veçanërisht fokusuar te hipertensioni përmes kontrollit të vazhdueshëm. Një tjetër faktor risku që është kontrolluar mirë është edhe duhanpirja, e kufizuar falë ligjit. Ajo që sot unë kuantifikova, pra, tregova në numra, është se bëhet fjalë për mbi dy vite e gjysmë jetë më shumë për një periudhë 5–7 vjeçare, që ka ardhur si rezultat i uljes së këtyre faktorëve dhe politikës së check-up. Kjo është arritje,” tha z. Gjonça, profesor i asociuar i demografisë në LSE.

Por ajo që Prof. Gjonça këshillon është vijimi i kësaj politike në formë tjetër për të vijuar që të përfitojmë më shumë.

“Do të vazhdojmë të investojmë në një politikë të fokusuar apo do ta shtrijmë në sistemin shëndetësor? Në fakt kjo është e ardhmja. Në duhet të mendojmë se si të gjitha këto informata, këtë eksperiencë të mrekullueshme që na dha check-up ta marrim dhe ta integrojmë brenda sistemit primar shëndetësor,” shtoi Prof. Gjonça.

Sipas profesorit të demografisë, Shqipëria, si vend me të ardhura të mesme dhe me ritme të shpejta të plakjes së popullsisë, vijon ende të ketë jetëgjatësi shumë të lartë krahasuar me vendet e zhvilluara.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme