Në Lunxhëri përgatiten për mbjelljet, fermerët shfrytëzojnë motin e favorshëm për të pluguar tokat
Pas përfundimit të reshjeve të shiut, fermerët e Lunxhërisë në Gjirokastër i janë rikthyer me ritme të shpejta punës në tokat bujqësore. Kushtet e përmirësuara atmosferike kanë krijuar mundësinë e duhur për të nisur përgatitjet për sezonin pranveror, i cili konsiderohet një nga periudhat më të rëndësishme për prodhimin bujqësor.
“Puna është intensive në maksimum. Po bëjmë tokat gati për mbjelljen e jonxhës dhe kulturës së misrit”, tha fermeri Vangjel Kondi.
Aktualisht, puna është përqendruar kryesisht në plugimin dhe sistemimin e tokës, një proces thelbësor për të siguruar rendiment të lartë në mbjellje. Fermerët po punojnë intensivisht për të shfrytëzuar çdo ditë me mot të favorshëm, duke synuar që të përfundojnë në kohë përgatitjet e nevojshme.
Menjëherë pas plugimit, nis edhe mbjellja e kulturave pranverore, që përbëjnë bazën e prodhimit sezonal. Fermerët shprehen optimistë për një sezon të mbarë, duke shpresuar që kushtet klimatike të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




