“3D” në RTSH- Gjikondi: SPAK dhe BKH-ja i kanë dalë politikës nga kontrolli, bezdia ndaj drejtësisë është e dukshme te të gjitha krahët

Aktualitet | 10 muaj më parë

Debati mbi nevojën për rishikimin e Reformës në Drejtësi, ishte tema qendrore e mbrëmjes në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH.

Juristja Brisida Gjikondi, e ftuar në panel, bëri një skaner të situatës aktuale, duke analizuar raportin mes politikës dhe strukturave të reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK dhe BKH.

Gjikondi u shpreh skeptike për mënyrën se si u zbatua fillimisht Reforma në Drejtësi, duke e cilësuar atë si një produkt të klasës politike me qëllime të qarta kontrolli.

“Po të ishte bërë në mënyrë të pjekur e me profesionalizëm, nuk do kishim këtë hambar me dosje. PS më shumë e ka bërë për ta kontrolluar drejtësinë,” tha juristja.

Ajo kritikoi Hartën e re Gjyqësore, e cila sipas saj solli kolaps, si dhe ngriti shqetësimin se një pjesë e madhe e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë u emëruan falë mbështetjes politike.

Pavarësisht tentativave për kapje, Gjikondi theksoi se dy hallka kryesore, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), kanë dalë jashtë kontrollit të liderëve politikë. Sipas saj, bezdia ndaj drejtësisë është e dukshme te të gjitha kahet, duke përmendur këtu Kryeministrin Rama, Sali Berishën, por edhe raste specifike si ai i Belind Këlliçit, i thirrur në SPAK pas kallëzimit të Gazment Bardhit.

“U ka dalë situata dhe kontrolli dhe nuk do të ketë hapa pas. Këto dy struktura (SPAK dhe BKH) i shqetësojnë ata më shumë,” nënvizoi Gjikondi.

Në analizën e saj, juristja bëri një krahasim mes sjelljes së dy liderëve kryesorë politikë ndaj drejtësisë.

“Rama duhet të jetë më i kujdesshëm në reagimet ndaj drejtësisë, ndonëse është më dinak se Berisha, i cili është më brutal në reagimet e tij,” përfundoi Gjikondi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme