“3D” – Neza: PD të analizojë pse qytetarët po largohen nga opozita. Foltorja para Kryeministrisë, ide e mirë, por e pamjaftueshme

Politikë | 12 muaj më parë

Analisti Sami Neza ka komentuar situatën dhe aksionin e opozitës, duke theksuar se ajo është e detyruar të kalojë te “mjetet politike” në një kohë kur të gjitha mjetet institucionale kanë dështuar. Në emisionin “3D” me Alban Dudushin në RTSH, Neza tha Partia Demokratike duhet të vendosë një filtër për të dalluar cilat veprime sjellin rezultat dhe cilat jo.

“Të gjitha mjetet institucionale kanë dështuar, pasi qeveria nuk ka vullnetin për të dëgjuar. Së dyti, ndërkohë që janë shteruar mjetet institucionale, kjo do të thotë që opozita kalon te mjetet politike.

Edhe këtu Partia Demokratike ka nevojë të vendosë një filtër, pasi disa prej këtyre mjeteve japin produkt, ndërsa të tjerat jo. PD ka propozuar një zgjerim të ‘foltores’ nga parlamenti deri te Kryeministria. Më duket ide e mirë, por e pamjaftueshme”, tha Neza.

Sipas Nezës, opozita duhet të reflektojë edhe mbi arsyet pse një pjesë e qytetarëve zgjedhin të mos e mbështesin atë, pavarësisht pakënaqësisë ndaj qeverisë.

“Mendoj se PD duhet të bëjë këtë pyetje dhe t’i japë përgjigje: pse një votues, kur ndodhet përballë dy alternativave, tërhiqet nga qeveria përmes një premtimi dhe lëshon idenë e tij fillestare që mund ta ketë pasur për të votuar opozitën? Këtu opozita duhet të analizojë dhe të japë një përgjigje: pse ekziston kjo gatishmëri nga disa qytetarë për t’u larguar nga qëllimi i tyre bazë?”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme