45 mijë vajza të vaksinuara kundër HPV në 5 vite, nga janari 2026 përfshihen edhe djemtë 13-vjeçarë

Rreth 45,000 vajza të moshës 13–20 vjeç janë vaksinuar kundër virusit HPV (Human Papilloma Virus) gjatë pesë viteve të fundit në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2025, janë regjistruar 10,000 aplikime të reja, një tregues i rritjes së ndërgjegjësimit për parandalimin e sëmundjeve që shkaktohen nga ky virus.
Sipas njoftimeve nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nga janari i vitit 2026 vaksina kundër HPV-së do të përfshihet në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit edhe për djemtë 13-vjeçarë, një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit publik.
“Propozimi është bërë dhe miratuar që nga janari 2026 të fillojë aplikimi i vaksinës edhe te meshkujt që gjatë atij viti mbushin 13 vjeç,” thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Vaksina HPV në Shqipëri aplikohet që prej më shumë se pesë vitesh tek vajzat 13-vjeçare, ndërsa institucionet shëndetësore kanë organizuar edhe fushata shtesë vaksinimi për vajzat që nuk e kanë marrë dozën në kohën e duhur.
Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se virusi HPV përfshin mbi 150 lloje të ndryshme, shumica të padëmshme, por disa prej tyre mund të shkaktojnë sëmundje serioze.
“Llojet 6 dhe 11 të virusit janë përgjegjës në 90% të rasteve për lythat gjenitale, ndërsa llojet 16 dhe 18 shkaktojnë rreth 70% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës tek femrat,” sqarojnë specialistët.
Virusi përbën rrezik edhe për meshkujt, pasi ata mund të jenë mbartës dhe transmetues të infeksionit, si dhe të preken nga kanceri i organit gjenital.
Sipas ISHP-së, përfshirja e djemve në programin kombëtar të vaksinimit pritet të forcojë imunitetin komunitar dhe të reduktojë ndjeshëm përhapjen e virusit HPV në popullatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




