6 bashki zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë, ecuria e procesit minutë pas minute

Politikë | 5 vite më parë

Në 2 bashkitë e vendit po numërohen votat për kryetar bashkie. Përkatësisht po numërohet në Durrës dhe Shkodër.

Kujtojmë që për Bashkinë e Vorës është shpallur rezultati pasi u aplikua numërimi elektronik. Bashkinë e Vorës e fitoi kandidati i PS-së, Blerim Shera. Edhe në Rrogozhinë është mbyllur procesi i numërimit, ku Edision Memolla i PS-së, do të jetë kryetar i ri i kësaj bashkie pasi mori 5438 vota.

Kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi ka marrë 1966 vota, ndërsa Hekuran Xhani i “Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 1550 vota.

Edhe Bashkia e Lushnjes është fituar nga Partia Socialiste me kandidate, Eriselda Sef. Ka përfunduar procesi i numërimit për Bashkinë e Dibrës, ku krybashkiaku i ri do të jetë Rahim Spahiu, i PS-së.

Për raportime në kohë reale, ndiqni RTSH24. Gazetarët e RTSH do iu mbajnë të informuar me raportimet më të fundit si dhe do të mësoni në kohë reale rezultatin dhe për 2 bashkitë e vendit ku ende po numërohet.

Ora 15: 31- Komisioni i Rithemelimit të PD: Shkodra mbetet Rozafa e lirisë së shqiptarëve

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka reaguar, lidhur me rezultatin e arritur në zgjedhjet e pjseshme vendore të 6 marsit. Në një deklarim për mediat Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike falenderon me mirënjohje të thellë, të gjithë demokratët dhe anëtarët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, për mbështetjen e tyre të madhe në zgjedhjet e 6 Marsit.

“Një falenderim për Shkodrën dhe qytetarët e saj të cilët me mbështetjen e tyre për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia, dëshmuan se Shkodra si gjithnjë mbetet Rozafa e lirisë së shqiptarëve. Në këto zgjedhje ne u përballëm jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me shtojcat e tij, që duan ta mbajnë Partinë Demokratike opozitë fasadë, peng të regjimit. Gjithsesi, vota e popullit opozitar tregoi qartë se demokratët dhe opozita e vërtetë nuk mund të nënshtrohen dhe nuk mund të merren peng. Ajo është gati për t’u ringritur plot besim dhe shpresë.Vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t’i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral“, thuhet në deklaratë.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, nënvizon se është opozita e vetme dhe e vërtetë dhe i bën thirrje të gjithë anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve, deputetëve që janë në Partinë Demokratike, për shkak të idealeve dhe jo të interesave, t’i bashkohen vullnetit të popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar.

Ora 13:26-Përfundon numërimi për Bashkinë e Durrësit, fiton kandidatja e PS-së Emiriana Sako

Ka përfunduar procesi i numërimit edhe për Bashkinë e Durrësit. Sipas rezultateve Kandidatja e Partisë Socialiste Emiriana Sako do të jetë kryetarja e Bashkisë së Durrësit. I dyti renditet Ardian Muka, kandidat i “Shtëpia e Lirisë”, e më pas ndiqet nga Luan Hoti, kandidat i Partisë Demokratike.

Ora 12:00- Në Dibër përfundon gjithçka, kandidati i PS-së fiton zgjedhjet

Ka përfunduar procesi i numërimit për Bashkinë e Dibrës, ku krybashkiaku i ri do të jetë Rahim Spahiu, i PS-së. Më pas ndiqet nga Premtim Kryemadhi, kandidat i “Shtëpisë së Lirisë”. Në vendin e tretë është renditur Luan Haka i PD-së, ndërsa në të katërtin Dritan Torba i Lëvizjes së Re.

Ora 10:40- Mbyllet procesi i numërimit në Lushnje, fiton Eriselda Sefa

Ka përfunduar procesi i numërimit në Lushnje. Nga 157 kuti të numëruara kandidatja e Partisë Socialiste, Eriselda Sefa është shpallur fituese.

Në vendin e dytë renditet Elton Bano i “Shtëpisë së Lirisë”. 

Ndërsa në vendin e tretë renditet Indrit Sefa i Partisë Demokratike.

Më  herët u shpall fitues kandidati i PS Blerim Sheraj në Vorë. Edhe në Rrogozhinë ka fituar kandidati i PS, Edison Memolla.

Ora 9:30-Numërohen më shumë se gjysma e kutive në Dibër, kryeson kandidati i PS-së

Në Dibër janë numëruar 68 kuti votimi nga 101 që ka gjithsej kjo bashki. Nga numri i deritanishëm, Paria Socialiste me kandidatin Rahim Spahiu po udhëheq këtë garë me 10617 vota ose 62.36 %.

Pas tij, vjen kandidati Premtim Kryemadhi e “Shtëpisë e Lirisë”, i cila deri tani ka marrë 3290 vota se 19.32%.

I treti renditet kandidati i Partisë Demokratike, Luan Hasa që deri tani ka 3049 vota ose 17.91%.

Mbeten për t’u numëruar edhe 33 kuti votimi.

Ora 07:36- Numërohen më shumë se gjysma e kutive në Shkodër, kandidati i Berishës udhëheq garën

Në Shkodër janë numëruar 148 kuti votimi nga 250 që ka gjithsej kjo bashki. Nga numri i deritanishëm, kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia po udhëheq këtë garë me 12740 vota ose 44.56%.

Pas tij, vjen kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni e Partisë Socialiste, e cila deri tani ka marrë 11339 vota se 39.66%.

I treti renditet kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati, që deri tani ka 4510 vota ose 15.78%.

Mbeten për t’u numëruar edhe 102 kuti votimi.

Ora 07:36- Numërimi në Lushnje drejt përfundimit, kryeson kandidatja e PS-së

Nga 126 kuti që janë numëruar, në Lushnje udhëheq kandidatja e Partisë Socialiste, Eriselda Sefa.

Eriselda Sefa deri tani ka marrë 16395 vota ose 57.62%. Pas Sefës, në vendin e dytë renditet Elton Bano i “Shtëpisë së Lirisë” me 9014 vota ose 31.68 %.

Indrit Sefa i Partisë Demokratike me 3043 vota ndodhet në vendin e tretë.

Ora 06:36- Pas Vorës, përfundon procesi i numërimit edhe për Bashkinë e Rrogozhinës

Është mbyllur procesi i numërimit të votave për Bashkinë e Rrogozhinës. Edision Memolla i PS-së, do të jetë kryetar i ri i kësaj bashkie pasi mori 5438 vota.

Kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi ka marrë 1966 vota, ndërsa Hekuran Xhani i “Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 1550 vota.

Mbrëmjen e djeshme, u shpall edhe rezultati i Vorës, ku Blerim Shera mori 7530 vota nga 11 mijë 96 votuesve. Lulzim Vrana mori 2589 vota,  Ymer Marku 687 vota. 290 votues kanë votuar për opsionin që nuk zgjedhjes asnjë kandidat.

Në zgjedhjet e zhvilluara për Bashkinë e Vorës, identifikimi, votimi dhe numërimi i votave u bë në mënyrë elektronike.

Ora 05:44- Vazhdon procesi i numërimit në Shkodër, kryeson Bardh Spahia! Në vend të tretë kandidati i Bashës

Ka shkuar në 117 numri i kutive të numëruar në Shkodër. Kryeson kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ Bardh Spahia, me 10093 vota.

Në vendin e dytë ndodhet kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni me 8921 vota. Ndërsa në vendin e tretë është kandidati i PD-së, Xhemal Bushati me 3525 vota.

Na Bashkinë e Shkodrës janë gjithsej 250 kuti për t’u numëruar.

Ora 05:24- Lushnje, udhëheq garën kandidatja e PS-së me mbi 4 mijë vota diferencë, Elton Bano i dyti

Në Lushnje deri tani janë numëruar 92 kuti, nga 157 gjithsej. Kryeson kandidatja e PS-së, Eriselda Sefa me 11987 vota.

Kandidati i “Shtëpisë së Lirës”, Elton Bano ka marrë 6533 vota, ndërsa Indrit Sefa 2060.

Ora 05:16- Durrës, Emiriana Sako e PS-së kryeson garën me diferencë të madhe votash, PD forcë e tretë

Janë numëruar 107 kuti votimi në Durrës. Nga numri i tyre, deri tani kryeson kandidatja e PS-së, Emiriana Sako e PS-së me 12365 vota. Në vendin e dytë me 5593 vota renditet Ardian Muka i “Shtëpisë së Lirisë”. I treti është Luan Hoti i PD-së, i cili deri tani ka marrë 2996 vota.

Kujtojmë që deri tani vetëm për Bashkinë e Vorës është shpallur rezultati pasi u aplikua numërimi elektronik. Bashkinë e Vorës e fitoi kandidati i PS-së.

Ora 05:04 – Numërimi në Rrogozhinë, kandidati i PS-së drejt fitores

Në Rrogozhinë janë numëruar 40 qendra votimi, nga 53 gjithsej.

Nga numri i 15 kutive, garën e kryeson Edison Memolla i PS-së me 3684 vota. Kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi ka marrë 1540 vota, ndërsa Hekuran Xhani i “Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 1246 vota.

Ora 02:40- Zgjedhjet në Dibër, vazhdon procesi i numërimit të votave

Në Dibër janë numëruar 7 kutitë e para, nga 101 kuti që janë për t’u numëruar gjithsej. Kandidati i PS-së, Rahim Spahiu, kryeson me 808 vota. I dyti renditet, Premtim Kryemadhi, i “Shtëpisë së Lirisë”, me 270 vota. PD e treta me kandidatin Luan Hak, i cili ka marrë 172 vota. Dritan Torba I “Lëvizja e Re”, ka marrë vetëm 4 vota.

Ora 02:28- Lushnje, kryeson kandidatja e PS-së, kandidati i Partisë Demokratike renditet i treti

Në Lushnje deri tani janë numëruar 40 kuti, nga 157 gjithsej. Kryeson kandidatja e PS-së, Eriselda Sefa me 4664.

Kandidati i “Shtëpisë së Lirës”, Elton Bano ka marrë 2730 vota, ndërsa Indrit Sefa 878. Janë për t’u numëruar edhe 117 kuti. 

Ora 02:08- Shkodër, vazhdon procesi i numërimit, kryeson Bardh Spahia

Ka shkuar në 34 numri i kutive të numëruar në Shkodër. Kryeson kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ Bardh Spahia, me 2808 vota.

Në vendin e dytë ndodhet kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni me 2265 vota. Ndërsa në vendin e tretë është kandidati i PD-së, Xhemal Bushati me 1063 vota.

Bashkia ka 250 kuti për t’u numëruar.

Ora 01:48- Durrës, kryeson kandidatja e PS-së, i dyti Ardian Muka i “Shtëpisë së Lirisë” 

Janë numëruar 9 kutitë e para në Durrës. Nga numri i tyre, deri tani kryeson kandidatja e PS-së, Emiriana Sako e PS-së me 1122 vota. Në vendin e dytë me 532 vota renditet Ardian Muka i “Shtëpisë së Lirisë”. I treti është Luan Hoti i PD-së, i cili deri tani ka marrë 246 vota.

Kujtojmë që për Bashkinë e Vorës është shpallur rezultati pasi u aplikua numërimi elektronik. Bashkinë e Vorës e fitoi kandidati i PS-së.

Ora 01:40- Në Shkodër kryeson kandidati i Berishës, ndiqet nga Majlinda Angoni

Numërohen 23 kuti votimi në Shkodër, nga 250 janë për t’u numëruara gjithsej. Kryeson kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ Bardh Spahia, me 2003 vota.

Në vendin e dytë ndodhet kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni me 1576 vota. Ndërsa në vendin e tretë është kandidati i PD-së, Xhemal Bushati me 821 vota.

Ora 01:24- Numërimi në Rrogozhinë, dalin rezultate e para 

Procesi i numërimit në Rrogozhinë po ecën normalisht. Nga 53 kuti për t’u numëruara gjithsej, deri tani janë numëruar 15.

Nga numri i 15 kutive, garën e kryeson Edison Memolla i PS-së me 1017 vota. Kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi ka marrë 417 vota, ndërsa Hekuran Xhani i “Shtëpisë së Liriës” ka marrë 475 vota.

Ora 01:16- Procesi i numërimit në Lushnje, kryeson kandidatja e PS-së! Bano i “Shtëpisë së Lirisë” në vend të dytë

Pas numërimit të 25 kutive të para në Lushnje, kryeson kandidatja e PS-së, Eriselda Sefa me 2704 vota.

Kandidati i “Shtëpisë së Lirës”, Elton Bano ka marrë 1549 vota, ndërsa Indrit Sefa 511. Janë për t’u numëruar edhe 135 kuti. 

Veliaj pas fitores së socialistëve në Vorë: Të kënaqur nga procesi dhe rezultati i zgjedhjeve!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili drejtoi fushatë e socialistëve në qarkun e Tiranë ka shprehur kënaqësinë për rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve, por mbi të gjitha për ecurinë e procesit zgjedhor. “Tekonoligjia në Vorë ishte ndihmë shumë e madhe” tha Veliaj duke ju referuar edhe fitores së socialistëve në këtë Bashki, duke shënuar dhe fitoren e parë në këto zgjedhje. “Vora tregoi se njerëzit duan punën dhe jo përçarjen”tha zoti Veliaj.

Ora 21:00-Partia Socialiste fiton Vorën

Ashtu siç pritej rezultati i parë i zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit doli në Vorë.

Fituesi është kandidati i PS Blerim Sherra.

Lajmin e dha kreu i KQZ Ilirjan Celibashi.

Në Vorë Blerim Shera mori 7530 vota nga 11 mijë 96 votuesve. Lulzim Vrana mori 2589 vota,  Ymer Marku 687 vota. 290 votues kanë votuar për opsionin që nuk zgjedhjes asnjë kandidat.

Në zgjedhjet e zhvilluara për Bashkinë e Vorës, identifikimi, votimi dhe numërimi i votave u bë në mënyrë elektronike.

Ora 20:00- Pjesmarrje e ulët në votimet e pjesshme të së djelës

Në Shqipëri në orën 19 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme në Bashkitë e Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës e Lushnjës.

Qytetarët e tyre që në orën 7 të mëngjesit  i janë drejtuar qendrave të votimit të cilat u mbyllon në orën 19.

Sipas raportimeve në KQZ, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00, është 30.30%

Pjesëmarja më e lartë është regjistruar në Dibër që është 43.35%.

Pas Dibrës për pjessëmarrje votuesish renditet Vora me 40.33%, Lushnja me 35.96%, Rrogozhina me 30.92%, Shkodra me 29.11% dhe në fund renditet Durrësi me 26.27%.

Në tri qendra votimi në Shkodër u shpall pavlefshmëria për shkak se për mbi 5 orë nuk ka pasur votues. 

Situata u shkaktua nga moti i keq, temperaturat e ulëta dhe borës, duke bërë të pamundur që banorët të marrin pjesë në votime.

Ora 19:50-Zgjedhjet e pjesshme vendore, Balla: Rezultati duhet respektuar e pranuar nga të gjithë!

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Balla shpreh mirënjohjen popullit të Bashkisë së Lushnjes, për një proces zgjedhor të lirë dhe plotësisht të rregullt. Balla shprehet se rezultati i vendosur nga vullneti i popullit duhet respektuar e pranuar nga të gjithë. 

“Mirënjohje popullit të nderuar të Bashkisë së Lushnjes, për një proces zgjedhor të lirë dhe plotësisht të rregullt, ashtu siç i ka hije Lushnjes së Kongresit. Kushtet atmosferike ishin të vështira dhe ndikuan në pjesëmarrje, por të gjithë e dimë se shiu në bujqësi është gjithmonë bereqet. 
Mirënjohje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, patronazhistëve të Partisë Socialiste në gjithë Lushnjen.
Populli foli dhe vendosi! Vullneti i tij tani do të numërohet me korrektësi maksimale dhe rezultati duhet respektuar e pranuar nga të gjithë. 
Nesër vijojmë menjëherë punën të mbajmë fjalën e dhënë para popullit të Lushnjes” shprehet Balla.

Ora 19:40- Gjiknuri: PS do pranojë çdo rezultat të votimeve të së dielës

Sekretari i përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri përshëndeti komisionerët në zgjedhje e pjesshme lokale të së dielës, për mbarëvajtjen e procesit të votimit.

Pak pas mbarimit të votimeve ai tha se qytetarët patën të drejtën për të ushtruar vullnetin e tyre, ndërsa tani është radha e numëruesve të votave të tregojnë se cili është vullneti i popullit.

Zoti Gjiknuri u shpreh i bindur në fitoren e PS, por tha se partia e tij është e gatshme të pranojë çdo rezultat. “Ne jemi ajo parti që e kemi pranuar gjithë rezultatin” tha ai.

Ora 19:00- Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit për 6 bashkitë e vendit  

Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në 6 bashkitë e vendit ku është votuar për kryetar bashkie.

Tashmë qytetarët e Durrësit, Vorës, Dibrës, Rrogozhinës, Lushnjes dhe Shkodrës kanë dhënë verdiktin e tyre dhe pas procesit të numërimit do të dalë emri i kryetarit që do t’i udhëheqë ata deri në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ora 17:30-Nënkryetarja e KQZ-së: 99% e qendrave të votimit është mbuluar me identifikim elektronik!

Nënkryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku tha para mediave se procesi i identifikimit elektronik është mbuluar në 99 % të qendrave të votimit. 
Pelinku shtoi se ka pasur disa problematika në të gjithë vendin dhe se janë zëvendësuar 15 pajisje PEI të identifikimit elektronik. Megjithatë “votimi elektronik ka ecur në mënyrë të shkëlqyer” tha ajo.

“Na ndajnë 2 orë nga mbyllja e votimit në 6 bashkitë. Përdorimi i teknologjisë për identifikimin elektronik bëhet fjalë bëhet fjalë për një mbyllim 99 % të qendrave të votimit.  Për problematikat që lidhen me vështirësitë që ka krijuar moti në Shkodër bëhet fjalë për 3 qendra votimi që ka qenë e pamundur pajisja e identifikimit. Kemi një qendër në Durrës dhe Dibër që janë bërë me dije në orën 07:00 sot dhe ka qenë  e pamundur zëvendësimi i operatorit. Kemi pasur edhe dy qendra votimi ku procesi ka nisur me pajisjen PEI dhe më pas është vazhdar manualisht. Bëhet fjalë vetëm për dy qendra votimi ku nuk është arritur të bëhet zëvendësi. Në një rast nuk ka respektuar afatin prej dy orësh  për zëvendësimin e  pajisjes dhe është vendosur në kalimin manual. Kanë qenë 15 pajisje PEI që janë zëvendësuar pasi kanë shfaqur probleme. Votimi elektronik ka ecur në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk kemi dyshim që edhe numërimi do të kryhet në qendrat e votimit dhe do të raportohet si rezultat paraprak në KQZ”, tha ajo.

Ora 17:00-KQZ: Pjesëmarrja në votime deri në orën 17:00 është 27.95%

Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki vazhdon të mbetet e vogël.

Sipas KQZ deri në orën 17:00 është 27.95%.
Të dhënat vijnë nga raportimi i 711 QV nga 942 QV në total.

Deri në orën 17:00 kanë votuar 140089 votues nga 501260 zgjedhës në listën e QV të raportuara.

Sa i përket bashkive, më shumë kanë votuar në Bashkinë e Dibrës, 40.08% e zgjedhësve.

Në Bashkinë e Durrësi kanë votuar 23.64% e zgjedhësve.

Në Në bashkinë e Lushnjës kanë votuar 34.01% e zgjedhësve.

Në Bashkinë e Shkodrës  kanë votuar 25.75% e zgjedhësve.

Në Bashkinë e Rrogozhinës kanë votuar 28.2% e zgjedhësve.

Në Bashkinë e Vorës kanë votuar 38.03% e zgjedhësve. 

Vora pritet ta shpallë rezultatin në orën 20:00

Ka shumë mundësi që zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të shënojnë një pikë kthese në proceset zgjedhore në Shqipëri, veçanërisht në numërimin e votave, pika më e dobët e çdo proçesi.  

Kjo do të provohet në qytetin  Vorës ku do të bëhet identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik.

Qytetarët e saj kanë nisur votimin në orën 7:00 dhe do votojnë deri në orën 19:00 në mënyrë elektronike. 

Janë rreth 30433 zgjedhës me të drejtë vote të cilët sot do të zgjedhin të preferuarin e tyre mes 3 kandidatëve, Blerim Shera i PS-së, Lulzim Vrana i Shtëpisë së Lirisë dhe  Ymer Marku i PD.

Qëllimi i votimit elektronik është shmangia e votimit të shumëfishtë. Kjo ka qenë një masë e propozuar nga ana e opozitës dhe e marrë nga KQZ. Në këtë mënyrë 1 votues nuk mund të votojë më shumë se sa një herë në një qendër votimi. 

Situata ka vijuar e qetë dhe pa përplasje.

Vora pritet ta shpallë rezultatin në orën 20:00.

Ora 16:00- KQZ: Pjesëmarrja në votime deri në orën 16:00 është 25.59%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 16:00 kanë marrë pjesë në votim 25.59% e qytetarëve të thirrur në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit.

Sipas KQZ, të dhënat janë mbledhur nga 401 Qendra Votimi nga 942 që janë gjithsej.

“Konkretisht kanë votuar deri në orën 16:00, kanë votuat 73 490 qytetarë nga 287150  zgjedhës në listën e Qendrave të Votimit të raportuara”, informoi KQZ.

Ora 15:00- Zgjedhjet e pjesshme vendore, Celibashi: Nuk raportohen probleme me rëndësi

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi doli para mediave për të paraqitur situatën më të fundit rreth procesit zgjedhor për zgjedhjet që po zhvillohen në gjashtë bashkitë e vendit.

Celibashi u shpreh se votimi elektronik ka funksionuar, duke shtuar se problem ka pasur vetëm në 5 qendra votimi pasi nuk ka pasur operatorë.

Kreu i KQZ-së tha se në disa qendra ka pasur raportime nga partitë, që kanë pretenduar se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar.

“Në lidhje me votimin elektronik, vetëm në pesë qendra votimi nuk ka pasur operatorë, pra identifikimi është bërë përmes listës së zgjedhësve të printuar. Në 15 qendra të tjera është bërë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik. 75% e qendrave të votimit janë hapur në orën 07:00, 25% janë hapur deri në orën 07:30. Pra, në 07:30, sipas raportimit që ka KQZ, të gjitha qendrat janë të hapura. Kemi vërë verifikime në terren të situatës në qendrat e votimit dhe në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative. Ka disa probleme që lidhen me mënyrën e procesit të votimit. Në disa qendra kemi pasur raportime nga partitë, që kanë thënë se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar. Kemi komunikuar dhe na kanë raportuar se situata është kthyer në normalitet. Ju bëj thirrje partive politike të mos përfshihen në deklarime publike, që thyejnë heshtjen zgjedhore”, tha Celibashi.

Celibashi ka folur edhe për zgjedhjet në tre qendra votimi në Shkodër, ku për shkak të borës nuk ka qenë e mundur që të shkonin komisionerët.

“Situata ka qenë shumë e vështirë, në kushte ekstreme atmosferike dhe nuk ja vlente barra qiranë të rrezikonin jetën e të shkonin komisionerët atje. Edhe në këmbë e kishin të vështirë të shkonin. Në tre qendrat e votimit në Shkodër nuk është zhvilluar procesi i votimit, por duhet parë në fund nëse do të shpallen zgjedhjet të pavlefshme aty”. –tha ai. 

Ora 14:00 KQZ: Pjesëmarrja në votime deri në orën 14:00 është 21.88%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 14:00 kanë marrë pjesë në votim 21.18 % e qytetarëve të thirrur në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit.

Sipas KQZ, të dhënat janë mbledhur nga 569 Qendra Votimi nga 942 që janë gjithsej.

“Konkretisht kanë votuar deri në orën 14:00, kanë votuat 83947 qytetarë nga 396401 zgjedhës në listën e Qendrave të Votimit të raportuara”, informoi KQZ.

Ora 13:50- Komisionerët e PD firmosin për anulimin e votimit në Shosh dhe Pult të Shkodrës, kërkohet vendim nga KQZ

Procesi zgjedhor duket se po shkon drejt anulimit në qendrat e votimit në Shosh dhe Pult, për bashkinë Shkodër. Procesverbali i KZAZ shpall pavlefshmërinë në tri qendra votimi në Shkodër, për shkak se për mbi 5 orë nuk ka pasur votim.

Këto dy qendra votimi nuk u hapën brenda afatit kohor prej pesë orësh, sipas parashikimeve në Kodin Zgjedhor.

Proces- verbali mban vetëm firmat e komisionerëve të PD-së. Nga komisionerët kërkohet një vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ora 13:35- PS: Problematika e PD-së për të gjetur komisionerë në Vorë nuk është shkelje e ligjit

Për PS, pretendimet e PD-së, lidhur me situatën që u krijua në Vorë, në garën për kryebashkiak, është ligjërisht e zgjidhur dhe s’ka asnjë bazë për padi penale. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, në një prononcim për mediat, hodhi poshtë pretendimet e PD, se “PS dhe LSI po bllokojnë procesin e votimit në Vorë”.

Sipas Salianjit, problematika e PD-së për të gjetur komisionerë ka krijuar ngërçin, i cili ligjërisht është i zgjidhur, pasi qendrat e votimit kanë kuorumin e nevojshëm për të vijuar procesin.

“PD ngre një problem mbi emërimin e anëtarëve. PD ka detyrimin ligjor t’i çojë pranë KZAZ-së banorë të bashkisë Vorë. Problematika e PD-së për të gjetur komisionerë nuk është shkelje e ligjit. Edhe në momentet që flasim PD ka detyrimin të paraqesë komisionerë dhe të ushtrojë detyrimet që i jep ligji për të organizuar procesin e votimit me anëtarët. Nuk e di për çfarë arsye ka ardhur kjo mungesë komisionerësh, për shkak të pamundësisë për t’i gjetur apo për të bërë pis procesin. Ne na intereson procesi dhe tashmë procesi është një proces ligjor pasi është miratuar kuorumi me 5 anëtarë”, tha Salianji.

Sipas tij, padia e ngritur nga PD është pa baza ligjore ndërsa shtoi se e vetmja që ka thyer ligjin është nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila në prononcimin e saj nga Vora, i bëri thirrje qytetarëve të votojnë, duke thyer heshtjen zgjedhore.

Ora 13:10- Ambasadori gjerman vëzhgon zgjedhjet në Shkodër: Gjykoj se është një përgatitje shumë e mirë e tyre

Ambasadorët perëndimorë në vendin tonë, duket se janë shumë aktivë gjatë ditës së sotme, në monitorimin e procesit zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme vendore, në 6 bashki të vendit. Ambasadori gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf, ka qenë në Shkodër, duke vëzhguar procesin për kryetar bashkie, në qytetin më të madh verior.

Në një prononcim për mediat, ambasadori e vlerësoi si shumë të mirë procesin e votimit dhe tha se nuk ka pasur ndonjë sinjalizim për shitblerje votash.

“Mendoj se të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme për vendin. Unë personalisht jam kureshtar të shikoj si është atmosfera e përgjithshme e zgjedhjeve. Gjykoj se është një përgatitje shumë e mirë e tyre. Unë vij herë pas herë me shumë dëshirë në Shkodër. Nuk ka pasur një shkak të veçantë. Në vendin tim nuk ekzistojnë zgjedhjet të pjesshme të këtij version. Ishte dhe kjo një arsye e shtuar pse erdha. Ka patur në raportet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e kaluara, rreth rasteve për shitblerje votash. Nuk kam pasur sinjalizim për zgjedhjet aktuale për raste shit-blerjesh votash. I referohem edhe Celibashit, i cili theksoi pak ditë më parë se kanë mbërritur asnjëlloj rasti të shitblerjes të votave.”- tha ambasadori Zingraf.

Ora 13:00- KQZ të dhëna paraprake për procesin e votimit deri në orën 13:00: Pjesëmarrja 17.75 % nga raportimi i 488 nga 942 qendra votimi

KQZ ka përditësuar të dhënat e saj lidhur me pjesëmarrjen në votime për 6 bashkitë ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie.

Deri në orën 13:00, sipas KQZ-së, pjesëmarrja ka qenë 17.75 % nga raportimi i 488 nga 942 qendra votimi.

Nga të dhënat paraprake, KQZ raporton se deri në orën 13:00 kanë votuar 60721 votues nga 342 mijë e 74 zgjedhës në listën e QV të raportuara.  

Pjesëmarrja në Dibër 24.3 %, Durrës 14.57 %, Lushnje 24.27 %, në Shkodër 16.53 %, Rrogozhinë 20.34 % dhe Vorë 22.81 %.

Ora 12:45- Yuri Kim në Durrës: Me rëndësi që zyrtarët të sigurojnë që votuesit të shprehin lirisht vullnetin e tyre

Ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim ishte ditën e sotme në Durrës ku pa nga afër procesin e votimit për kryetar bashkie.

Pas vizitës, përmes një reagimi në rrjetet sociale, Yuri Kim shprehet se është me rëndësi që që zyrtarët të sigurojnë që votuesit të mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa asnjë trysni, blerje votash ose pengesa të tjera.

“Stafi i Ambasadës së SHBA po vëzhgon votimin në të gjashtë bashkitë. Kam kënaqësinë të jem në #Durrës. Është veçanërisht e mrekullueshme të shohësh kaq shumë të rinj aktivë sot, qofshin votues, komisionerë zgjedhorë apo vëzhgues. Shpresoj që të gjithë qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Është e rëndësishme që zyrtarët të sigurojnë që votuesit të mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa asnjë trysni, blerje votash ose pengesa të tjera”, shkruan ambasadorja Kim.

Ora 12:15- Situata në Vorë, Celibashi: Veprimtaria e anëtarëve të KZAZ-së në përputhje me ligjin

Vora, deri pak minuta më pare, duket se ka qenë epiqendra e akuzave të PD-së ndaj PS- LSI, lidhur me administrimin e procesit zgjedhor. Për këtë, PD ka bërë edhe një padi penale ndaj 5 anëtarëve të KZAZ,-së Vorë. Lidhur me këtë situatë, në KZAZ-në Vorë, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, është shprehur se KZAZ-ja ka respektuar ligjin.

 “Nga pikëpamja procedural, vendimet e tyre kanë qenë në rregull. Nuk ka lidhje me kërkesat e KQZ, plotësimi i kërkesave të ligjit për të patur komisonerë në qendrat e votimit. Është zgjedhje e subjekteve politike. Rëndësi ka që propozimet për anëtarë të Komisioneve të qendrave të votimit të jenë në përputhje me Kodin Zgjedhor. Veprimtaria e anëtarëve të KZAZ është në përputhje me ligjin. Propozimet duhet të jenë në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor. Të gjitha qendrat e votimit kanë minimumin 4 anëtarë, në 25 qendra votimi ka sekretarë dhe anëtarë që janë propozuar nga PD. Në qendrat e tjera ka kuorum për të vijuar veprimtarinë, por mungon kryetari që do të duhej të propozohej nga PD”, tha Celibashi.

Ora 12:00- Durrës, përfaqësues të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” akuza për fotografim vote

Përfaqësues të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” kanë ngritur pretendimet se në mjediset e shkollës “Neim Babameto”, aty ku ndodhen shumë qendra votimi janë angazhuar punonjës të policisë bashkiake që bëjnë presion dhe fotografojnë kartat e identitetit të votuesve.

Oerd Bylykbashi thotë se policia nuk po merr masa për t’i larguar personat në fjalë. Nga ana tjetër, Jamarber Mallezi pretendon se një vajze që është përfaqësuese e PS-së, fotografonte kartat e identitetit. Policia ka marre dëshmitë tek Kryetari dhe nënkryetari i qendrës së votimit.

Ora 11:45- PD kallëzon penalisht anëtarët e PS-së dhe të LSI-së në KZAZ-në Vorë

PD bëri të ditur se ka kallëzuar penalisht 4 anëtarë të PS, si dhe anëtarin e LSI në KZAZ-në e Vorës, me akuzën për “shpërdorim detyre”. Sipas PD, anëtarët e KZAZ-së po bllokojnë procesin zgjedhor në këtë bashki.

“Pas shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor, vendimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionit të Ankimeve dhe sanksioneve, Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ-në e Vorës, për shpërdorim detyre, duke minuar procesin zgjedhor në këtë bashki”, thuhet në njoftimin e PD.

Ora 11:32- Zgjedhjet e pjesshme vendore, BE: 20 ekipe në terren për monitorimin e procesit

Zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit janë duke u monitoruar edhe nga ndërkombëtarët. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri informoi se vëzhguesit evropianë janë në terren për monitorimin e procesit zgjedhor.

Delegacioni i BE-së bëri të ditur se janë “20 ekipe për vëzhgimin e zgjedhjeve në Durrës, Vorë, Lushnjë, Rrogozhinë, Dibër dhe Shkodër”.

“Dita e Zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë në 6 bashki votojnë sot për të zgjedhur kryetarët e rinj. Skuadra Evropa është në terren duke vëzhguar zgjedhjet me 20 ekipe në Durrës, Vorë, Lushnjë, Rrogozhinë, Dibër dhe Shkodër”, thekson Delegacioni i BE-së .

Ora 11:20-Votimi elektronik në Vorë, të moshuarit vështirësi, ndihmohen nga operatorët

RTSH raporton se votimi elektronik në Vorë po nxjerr në pah nevojën për familjarizimin me këtë formë të re votimi. Personat në moshë të tretë e kanë të vështirë orientimin me aparaturat. Ata po këshillohen, në shumicën e rasteve, në distancë nga operatorët e KQZ, që janë edhe përgjegjës për aparaturat për mënyrën e votimit.

Ora 11:10- Moti i keq në Peshkopi, brigadat e OSSH-së në terren për të riparuar defektet për të mos penguar procesin e votimit

Moti i keq ka sjellë probleme në disa zona në Peshkopi, ku për pasojë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Bëhet e ditur se brigadat e avarisë së OSSH Peshkopi, po vijon punën në terren, për riparimin e defekteve të shfaqura, si pasojë e motit të keq.

Në ndihmë të brigadës së OSSH Peshkopi janë afruar dhe punonjës të OSSH Kukës, OSSH Elbasan dhe Laç.

“Deri më tani janë eleminuar avaritë në fiderat e NST Zues, NST Peshkopi dhe NST Fushë Aliaj duke rikthyer energjinë në pjesën më të madhe të qendrave të votimit që furnizohen nga këto fidera. Brigadat e avarisë së OSSH Peshkopi vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve të shfaqura si pasojë e motit të keq. Nga ana e saj, OSSH ka marrë të gjitha masat për pajisjen me gjeneratorë të qendrave të mëdha të votimit dhe qendrave të numërimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha bashkitë që sot zhvillojnë zgjedhjet”, thuhet në njoftimin e OSSH-së.

Ora 10:50- Lushnje, procesi i votimit i qetë, votojnë 9% të qytetarëve

Gazetari i RTSH-së, Norel Zaimaj ka raportuar nga Lushnja se mbi 9% të votuesve u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre,

Përgjithësisht procesi i votimit ka qenë i qetë, përveç një incidenti që ka ndodhur me disa komisionerë, të cilët janë zëvendësuar.

Megjithatë, pritet që në orët e pasdites numri i pjesëmarrjes të jetë më i lartë. Në këto zgjedhje, në Lushnje garojnë nga PD Indrit Sefa, nga PS Eriselda Sefa, nga “Shtëpia e Lirisë” Elton Bano.

Ora 10:20- Incident në Durrës, mbështetësi i Shtëpisë së Lirisë konflikt verbal me komisionerin e PD-së 

Procesi i votimit në Bashkinë e Durrësit deri në këto momente nuk ka kaluar pa incidente. Rtsh.al mëson se një incident ka ndodhur në qendrën e votimit nr. 1499 në Durrës, ku një mbështetës i Shtëpisë së Lirisë, ka pasur një përplasje verbale me një komisioner të PD-së.

Raportohet se Policia e Durrësit ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku po merr më shumë detaje lidhur me këtë incident. Po ashtu, pritet që të merret edhe kallëzimi i komisionerit të PD-së, për situatën e krijuar.

Ora 10:00- Pjesëmarrja deri në orën 10:00, KQZ: 6.23 % nga raportimi i 443 nga 942 qendra votimi

KQZ ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes për zgjedhjet vendore në 6 bashki, ku deri në orën 10:00 kanë marrë pjesë 6.23 % nga raportimi i 443 nga 942 qendra votimi

Sipas KQZ-së, deri në orën 10:00 kanë votuar 19308 qytetarë nga 309 mijë e 706 zgjedhës në listën e QV të raportuara.

Pjesëmarrja në Dibër 6.76 %, Durrës 5.24 %, Lushnje 8.65 %, në Shkodër 5.93 %, Rrogozhinë 8.67 % dhe Vorë 7.79 %.

Kujtojmë se votuesit në 5 bashkitë Vorë, Rrogozhinë, Lushnje, Shkodër e Durrës do të zgjedhin mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”

Votuesit në bashkinë Dibër do të zgjedhin mes kandidatëve të PS, PD, LRE dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Theksojmë se të zgjedhurit nga ky proces votimi do të kenë mandat 1-vjeçar.

Ora 09:45- Celibashi: Procesi po ecën normalisht, në dy qendra votimi në Shkodër komisionerët nuk kanë shkuar për shkak të borës

Në një dalje për mediat, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë informacion lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor në 6 bashkitë e vendit.

Celibashi shprehet se në dy qendra votimi në Shkodër, përkatësisht në Pult dhe në Shosh nuk ka nisur procesi i votimit, pasi komisionerët nuk kanë shkuar dot për shkak të dëborës së rënë në këtë qark.

Në bashkinë e Dibrës, sipas Celibashit, procesi i votimit ka nisur në të gjithë 121 qendrat e votimit, ndërsa ka njoftuar se ka pasur probleme në dy zona me energjinë elektrike, në Kastriot dhe në Kalanë e Dodës.

Sa i përket Bashkisë së Durrësit, procesi i votimit ka nisur në të 337 qendra e votimit. Po ashtu edhe në Vorë, procesi i ka nisur normalisht në 44 qendrat e votimit.

Edhe në Lushnje dhe në Rrogozhinë procesi i votimit ka filluar normalisht, ndërsa ka pasur probleme me kamerat të vendosura për të monitoruar votimin në 5 qendra votimi në Lushnje.

Ora 09:00- Kandidatja e PS, Angoni: Të kemi votim sa më të qetë

Beteja për Shkodrën duket se është epiqendra e e këtyre zgjedhjeve të pjesshme vendore. Kandidatja e PS, Majlinda Angoni, beson se sot shkodranët do të mund të bëjnë kthesën.

Angoni para mediave, u shpreh se aktualisht procesi i votimit vijon normalisht, përveç dy zonave në Dukagjin, ku nuk ka nisur ende procesi, për shkak të motit të keq, por, sipas kandidates së PS, pritet që edhe aty të nisë votimi.

“Banorë te Shkodrës të marrin pjesë në votime për të shprehur me votën e tyre të drejtë kushtetuese, që ua garanton ligji. Të kemi votim sa më të qetë dhe të japim mesazhe se Shkodra është e kulturës dhe e paqes. Siç ka qenë gjithë fushata, duhet të jetë dhe përmbyllja e rezultatit final të kësaj fushate”, tha Angoni.

Ora 09:00- Zgjedhjet e pjesshme vendore, KQZ: Pjesëmarrja 2.70 % nga raportimi i 494 nga 942 qendra votimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka raportuar pjesëmarrjen e votuesve në 6 bashki të vendit, ku po votohet për kryebashkiakët.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, deri në orën orën 09:00 pjesëmarrja ka qenë 2.70 % nga raportimi i 494 nga 942 qendrave të votimit.

KQZ ka raportuar se deri në orën 09:00 kanë raportuar 9286 votues nga 344 mijë e 485 zgjedhës në listën e QV të raportuara   

Pjesëmarrja në Dibër 3.17 %, Durrës 2.44 %, Lushnje 3.65 %, në Shkodër 2.44 %, Rrogozhinë 4.11 % dhe Vorë 3.91 %. 

Ora 08:00- Luan Hoti mesazh pas votimit: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë, t’ia rikthejmë Durrësin qytetarëve

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit Luan Hoti ka votuar sot në orën 08:00 në Lagjen 1, në qendrën e votimit te Universiteti “Aleksandër Moisiu”.

“Kam vetëm një mesazh për qytetarët e Durrësit. I ftoj të dalin të votojnë, të votojnë si njerëz të lirë, të votojnë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e këtij qyteti, të votojnë që t’i japim fund marrjes peng të qytetit të Durrësit dhe bashkinë t’ia rikthejmë Durrësit, qytetarëve të Durrësit. Faleminderit!”, tha para medieve Hoti.

Ora 07:42- Zgjedhjet e pjesshme vendore, Rama: Ushtroni të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur

Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë për 6 bashkitë e vendit ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.

“Mirëmëngjesi dhe me ftesën për qytetarët e 6 bashkive në Shqipëri ku sot votohet, që ta ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur edhe në respekt të atyre që në lindje të Europës, po masakrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë, ju uroj një të diel të qetë.”- shkruan Rama.

Ora 07:00- Nis procesi i votimit, probleme në disa zona

Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit në 6 bashkitë e vendit, ku votohet për të zgjedhur kryetarin e bashkisë për këto qytete.

Procesi i votimit ka nisur me disa probleme në disa zona në Vorë dhe në Shkodër, ndërsa në qytete të tjera procesi ka nisur pa probleme.

Në bashkinë e Shkodrës, përveç disa zonave malore, në pjesën tjetër procesi ka nisur normalisht. Në zonën e Dukagjinit, gazetarët e RTSH raportojnë se vetëm në Njësinë Shalë është hapur procesi i votimit. Po ashtu, në zonën Shosh dhe Pult, nuk është hapur procesi i votimit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme