Erdogan zotohet për “zhdukje” të rrjetit të Gulenit pas vdekjes së klerikut

Rajon | 2 vite më parë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të martën se Turqia është e përkushtuar për t’i përndjekur ndjekësit e dyshuar të klerikut të ndjerë, Fethullah Gulen.

“Do të vazhdojnë të luftojmë FETO-n derisa të zhduket krejtësisht”, ka thënë Erdogan para pjesëtarëve të partisë së tij, duke e përdorur akronimin zyrtar për grupin e Gulenit.

Qeveria turke e konsideron lëvizjen Hizmet të Gulenit si terroriste.

Erdogan e ka përshkruar Gulenin si “kryetradhtar”.

Kleriku turk, Fethullah Gulen, raportohet se vdiq në një spital në SHBA më 20 tetor 2024. 

Ankaraja e fajëson rrjetin e Gulenit për organizim të puçit të dështuar në Turqi, më 2016, dhe prej atëherë ka arrestuar mbështetësit e dyshuar të grupit.

Gulen, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara prej vitit 1999, ka vdekur në një spital në Pensivlani në mbrëmjen e së dielës, ka bërë të ditur lëvizja e tij të hënën.

Gulen ka qenë aleat i Erdoganit deri më 2013. Vetë Guleni e ka mohuar përfshirjen në tentimet për puç dhe e ka akuzuar Erdoganin se ai vetë i ka orkestruar ato zhvillime.

Më 15 korrik 2016, një fraksion i ushtrisë turke ka tentuar të kryejë puç kundër Qeverisë së Erdoganit. Përpjekjet kanë dështuar dhe më shumë se 250 njerëz kanë vdekur e mbi 2.000 janë plagosur.

Nën gjendje të jashtëzakonshme, Qeveria e Erdoganit i ka përjashtuar nga puna më shumë se 100.000 shërbyes civilë dhe ka arrestuar dhjetëra mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit.

Vëzhguesit presin që lëvizja e Gulenit të shpërbëhet pas një kohe, pas vdekjes së udhëheqësit të saj.

Sipas REL

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme