Takimi në Nju Jork, Borrell pret më 25 shtator liderët e Ballkanit Perëndimor

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell do të presë ditën e mërkurë në një drekë pune liderët e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Të mërkurën, Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të presë gjashtë liderët nga Ballkani Perëndimor për një drekë tradicionale pune”, bën të ditur njoftimin e tij, Komisioni Evropian.
Sipas njoftimit të KE-së, sesioni i OKB-së në Nju Jork do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Borrellin dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Komisioni Evropian shpjegon gjithashtu se BE së bashku me shtetet anëtare janë kontribuuesi i vetëm financiar më i madh në sistemin e OKB-së, duke siguruar pothuajse një të katërtën e buxhetit të rregullt të OKB-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




