Bosnje Hercegovinë, arrestohet një prej politikanëve më të pasur

Rajon | 2 vite më parë

Kryetari për një kohë të gjatë i komunës së vogël të Trnovës pranë Sarajevës, Ibro Berilo, u arrestua të hënën si pjesë e një hetimi të gjerë në të cilin dyshohet se ka shpërdoruar pozitën e tij për të favorizuar investitorët të cilët gjatë mandatit të tij kanë ndërtuar banesa në malin Bjelasnica.

Anëtarët e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA)në Bosnje e Hercegovinë, arrestuan Berilin dhe tre bashkëpunëtorët e tij, si dhe sipërmarrësin Adis Mulaosmanoviq, pronar i një kompanie që investoi në ndërtimin e ndërtesave të diskutueshme të banimit.

Siç është raportuar nga mediat lokale, Zyra e Prokurorit të Qarkut të Sarajevës i akuzon ata se kanë shitur ose blerë tokë, që ishte regjistruar si pronë shtetërore.

Në bazë të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, këto prona janë në ndalim të përkohshëm deri në zgjidhjen e përhershme të statusit të tyre me ligj në nivel shtetëror.

Në kuadër të hetimeve, të arrestuarve u janë bllokuar llogaritë bankare në të cilat janë depozituar 300 mijë euro, origjina e të cilave kontestohet.

Berilo u arrestua në Qendrën Klinike të Sarajevës, ku mbërriti javën e kaluar për shkak se po kurohet nga diabeti. 

Mediat raportojnë se hetimet e deritanishme kanë vërtetuar se Berilo ka mohuar pronësinë e banesës në Bjelasnicë, të cilën ai pretendon se e ka marrë “dhuratë”, dhe supozohet se investitorët në këtë mënyrë e kanë kthyer borxhin për ndarjen e tokës kontestuese.

Tërnovo është rreth tridhjetë kilometra larg Sarajevës dhe në atë komunë, në të cilën për dy dekada ishte në krye Berilo, ka vetëm rreth një mijë banorë.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme