Plani për “shpërbërjen paqësore të BiH” tërhiqet nga rendi i ditës i parlamentit të RS

Dokumenti për të ashtuquajturën “shpërbërje paqësore të Bosnjë-Hercegovinës” nuk u diskutua nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare më 9 korrik, siç ishte planifikuar fillimisht.
Kryetari i Kuvendit të Banjalukës, Nenad Stevandiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se propozimi është tërhequr nga rendi i ditës, por nuk është përgjigjur në pyetjen se kush e ka propozuar një dokument të tillë.
Stevandiq tha se është propozuar nga deputetët e Asamblesë Kombëtare, pa përmendur ndonjë emër konkret.
Propozimi për shpërbërjen paqësore u njoftua së fundmi nga Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik dhe u hartua zyrtarisht nga qeveria e RS.
Dodik përshkroi detajet e planit në intervistën e tij me Sputnik më 28 qershor. Ai theksoi se Qeveria dhe Asambleja Kombëtare e Republika Srpska do të qëndrojnë pas dokumentit mbi shpërbërjen paqësore të BiH, duke e bërë atë propozim zyrtar të Srpska.
Sipas Dodik, propozimi u krijua duke marrë parasysh pamundësinë që BiH të funksiononte normalisht, edhe brenda kornizës së Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.
Ai pretendoi se Marrëveshja ishte minuar nga ndërhyrjet e huaja, me ndihmën e boshnjakëve dhe pa u konsultuar me dy kombet e tjera në BiH, serbët dhe kroatët. Nga ana tjetër, analistët politikë thanë se plani për shpërbërjen paqësore nuk ishte një zgjidhje e realizueshme, por “shprehje e bllofit politik”.
Rastësisht apo jo, Kryetarja e Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Brnabiq, ka vizituar Banjalukën më 9 korrik, pra ditën kur iniciativa është dashur të diskutohet në Parlamentin e Republikës Srpska.
Duke folur në seancën ceremoniale të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Brnabić tha se Serbia e do RS-në , por gjithashtu respekton integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe dëshiron të vendosë marrëdhëniet më të mira të mundshme me Sarajevën.
Kjo ka qenë vizita e parë e një zyrtari serb në Banjalukë pas të ashtuquajturit ” Kuvendi Gjithë-Serb” që u zhvillua në Beograd muajin e kaluar.
Qeveritë e Republikës Srpska dhe të Serbisë gjatë “Kuvendit Gjithëserb” miratuan “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se në Deklaratë nuk kishte asnjë fjalë për ndarjen e RS nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




