Provimet- Psikologët këshillojnë prindërit të mos ushtrojnë presion: Mund të shkaktojë krizë identiteti

Sociale | 2 vite më parë

Pas dy provimeve të dhëna, matematika është lënda e radhës së maturës shtetërore ku nxënësit do të testojnë njohuritë e marra. Ata nuk e përjashtojnë stresin që i shoqëron, pasi nga këto provime varet e ardhmja e tyre.    

Psikologia, Anxhela Peza këshillon prindërit të mos ushtrojnë trysni, pasi ky lloj stresi çon në gjendje depresive.

“Të gjithë maturantët normalisht që përjetojnë një farë stresi, apo një periudhë ankthi. Përjetojnë ndoshta edhe një krizë identiteti se çfarë do të zgjedhin sepse ajo që do përzgjedhin do t’i simbolizojë ata për gjithë jetës. Dhe fakti që nuk do të kenë mundësi më për ta ndryshuar. Ajo që ven më shumë si të thuash si presion vjen nga mësuesit e tyre, mënyra si ja prezantojnë, apo dhe prindërit në shtëpi që i thonë që shiko se është momenti që do të zgjedhësh. Pra e vënë në këto kushte, mund të kalojë një krizë identiteti pasi është periudhë e rëndësishme dhe e vështirë për ta” u shpreh psikologia Peza.

“Do të sugjeroja një komunikim sa më mirë dhe miqësor me mësuesit  që i kanë mbështetur për rreth 3 viteve. Po ashtu një mbështetje psikologjike dhe emocionale duhet të vijë nga prindërit, t’i mbështesin fëmijët e tyre sido që të shkojnë rezultatet e provimeve apo ato të shkollës së lartë”, shtoi ajo.

Psikologia Peza rendit arsyet pse të rinjtë i drejtohen psikologut në sezon provimesh.

”Sipas studimeve ka rezultuar që në sezon të provimeve ka një nivel të lartë të stresit dhe ankthit dhe  kemi dhe raste të depresionit.  I drejtohen psikologut qoftë për të zgjedhur degën që do të vazhdojnë studimet apo raste kur kanë vendosur një degë studimi, por janë penduar dhe nuk e shohin vetën në atë degë studimi” tha psikologia.

Përgjegjësia për zgjedhjen e degës që duan të ndjekin dhe marrja e statusit të studentit kërkon rezultate të larta në provimet që përmbyllin këtë cikël vendimtar.

Gazetare: E. Lamja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme