Hyn në fuqi “Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024-2030”

Sociale | 2 vite më parë

Me botimin në fletoren zyrtare ka hyrë në fuqi Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024 – 2030 dhe Plani i Veprimit. 

Kjo strategji parashikon zhvillimin e politikave efektive për migrantët që zhvendosen nga një vend në një vend tjetër për arsye punësimi, duke rritur ndikimin pozitiv të migracionit në zhvillimin social-ekonomik kombëtar ose vendor, promovimin e migracionit të rregullt, si dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve.

“Strategjia e re synon që të realizojë integrimin e qëndrueshëm të shtetasve shqiptarë të kthyer nga emigracioni deri në vitin 2030, përmes vlerësimit të nevojave dhe vështirësive që ata hasin me qëllim adresimin e tyre në mënyrë efektive” shkruhet në relacionin që shoqëron këtë vendim të qeverisë.

Gjithashtu Strategjia përfshin masa për lehtësimin dhe nxitjen e kthimit të emigrantëve të kualifikuar në Shqipëri dhe maksimizimin e potencialit të tyre për zhvillimin ekonomik të vendit përmes promovimit të kapitalit njerëzor dhe investues të tyre, krijimit të paketave informuese mbi procesin e kthimit dhe riintegrimit, si dhe kushtet e tregut të punës. Edhe për të huajt, gjithashtu parashikohen masa për informimin mbi format, mundësitë dhe procedurat e migrimit për arsye pune në Shqipëri, si dhe përmirësimin e veprimtarisë së agjencive private të punësimit dhe punëdhënësve, me qëllim zbatimin e standardeve të punësimit etik.

Në kuadër të agjendës kombëtare të integrimit në Bashkimin Evropian, ky dokument është hartuar në përputhje me përmbushjen e detyrimeve të kapitujve të legjislacionit evropian në fushën e azilit, migracionit dhe lëvizjes së lirë.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme