Sociologu Tushe: Familja, institucion i destabilizuar. Në vend të paqes prodhon pasiguri

Sociale | 2 vite më parë

I ftuar në studion e RTSh 24, sociologu Gëzim Tushe foli për fenomenin e vetëvrasjes si një problem social. Sociologu Tushe duke marrë shkas nga ngjarja e Shkodrës theksoi gjithashtu se ky fenomen po përhapet me shpejtësi në shoqërinë Shqiptare.

“Ngjarja e Shkodrës ishte më tronditësja nga të gjitha dhe të them të drejtën unë jam shumë gjatë me ngjarjet e krimit dhe të vetëvrasjes kam shkruar dhe një libër ku përpiqem të bëj një diagnostikim për të diferencuar shkaqet e jashtme dhe të brendshme, ontologjike, psikologjike, sociale që determinojnë këtë fenomen të shoqërisë sociale që po zgjerohet në shoqërinë shqiptare i cili ka arsyet e veta si ato që kanë të bëjnë me shëndetin mendor që ka të bëjë me mungesën e vet administrimit të njerëzve në situata të vështira dhe gjejnë rrugën e gabuar dhe e para gjë që duhet të thotë media si në rastin e Shkodrës por edhe në rastet e tjera një person që vetëvritet është i barabartë me atë që vret”, tha Sociologu Tushe.

Ngjarjen e Shkodrës, Gëzim Tushe e cilësoi si një krim të dyfishtë ku e para është vetëvrasja dhe e dyta marrja e jetës së fëmijëve nga nëna e tyre. Gjithashtu Tushe u shpreh se vetëvrasja është një moment krize e një personi dhe një vendim i fshehtë dhe kjo ka të bëjë me faktor si gjendja psikologjike e personit ashtu dhe formimi i tij.

“Ngjarja e Shkodrës është  e dhimbshme dhe kemi një krim të dyfishtë. Ky krim është në kufijtë maksimal që do të thotë se rrallë mund të kemi pasur të tilla raste dhe prandaj opinioni publik dhe mediatik janë tronditur shumë. Vetëvrasja ka shkaqet e saj, ajo është e vështirë të parashikohet dhe kjo është çështja më delikate e vetëvrasjes.

Është një vendim i fshehtë, është një vendim personal merret në një moment të caktuar apo në një moment krize  zakonisht një vetëvrasje ka dy faktor, të brendshëm që lidhet me formimin e njeriut me gjendjen psikologjike, me gjendjen shëndetësore etj. Një njeri që është në një situatë krizë, mankthi, dëshpërimi psikologët kanë theksuar se dëshpërimi, mankthi, pasiguritë, ankthet, vështirësitë janë shkaqet kryesore brenda njeriut që e detyrojnë atë që të bëj vetëvrasje.

Në shoqërinë e sotme, nuk ndihesh i qetë, nuk je i sigurt asnjëherë, ke pranë disfatën, suksesin e lidhur me fakte të tjera si dhuna në familje dhe siç e dini vet familja është bërë një institucion i destabilizuar ku në vend që të prodhoj paqe, siguri midis burrit dhe gruar apo fëmijëve dhe prindërve ka filluar të prodhoj pasiguri “, u shpreh Tushe.

I pyetur nga gazetarja Agolli se çfarë ndikimi ka shoqëria në vetëvrasje, sociologu Tusha u shpreh se faktor si familja, shoqëria, shkolla etj janë të rëndësishëm për të parandaluar një vetëvrasje.

“Akti i vetëvrasjes është i paparashikueshëm por jo i pa parandalueshëm, faktorët e tjerë jashtë individit ku bëjnë pjesë familja, shkolla, shoqëria, media etj  të gjithë këto faktor social nëse do të jenë dinamik për të bërë diagnostikimin ka mundësi që të ndikoj në parandalim sepse kriza e njeriut që merr vendimin për vetëvrasje është një moment i errët, është një prishje e ekuilibrave dhe në këtë moment nëse merr ndihmë nga institucioni familja, burri, mjeku etj kemi një ushtri të terë”, tha Gëzim Tushe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme