Bonus qiraje pa afat nga Bashkia e Tiranës, për 2467 familjet e prekura nga tërmeti

Sociale | 6 vite më parë

2467 familje në Bashkinë e Tiranës, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019 do të përfitojnë tashmë pagesën e qirasë pa një afat kohor, deri në momentin e ndërtimit apo rikonstruksionit të plotë të banesave të tyre nga ana e qeverisë. Ky vendim vjen pas ndryshimeve të miratuara nga qeveria në aktin normativ nr. 8, datë 07.12.2019.

Pas tërmetit, Bashkia e Tiranës trajtoi më bonus qiraje për një periudhë 1-vjeçare familjet, banesat e të cilëve janë shembur ose janë deklaruar të pabanueshme nga akt konstatimet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit. Duke qenë se në territorin administrativ të Bashkisë së Tiranës, u evidentuan dëme të shumta ndërtimore në të gjitha Njësitë Administrative në juridiksionin administrativ të saj, u hartuan disa plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Me dorëzimin e dokumentacionit dhe plotësimin e dosjeve, 2885 individë/familje kanë përfituar pagesën e qirasë për një periudhë 1 vit, sipas vlerës së tregut të lirë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit ka vijuar puna për rindërtimin e banesave, dhe një pjesë e këtyre familjeve janë futur tashmë në banesat e reja.

Bashkia e Tiranës i ka propozuar Këshillit Bashkiak, në cilësinë e organit vendimmarrës, zgjatjen e afatit të pagesës së qirasë sipas vlerës së tregut të lirë, për familjet/ individët, banesat e të cilëve si rezultat i tërmetit të datës 26 nëntor 2019 janë shembur ose janë deklaruar të pabanueshme nga akt konstatimet e hartuara nga instituti i ndërtimit. Me miratimin e këtij vendimi ditën e sotme, Bashkia Tiranë do të vijojë të paguaj bonusin e qirasë për 2467 familje, deri në momentin kur banesat e tyre do të rindërtohen apo rikonstruktohen plotësisht.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme