Himarë, shtohen fabrikat e përpunimit të ullirit

Sociale | 6 vite më parë

Vreshtat e mbjellë me ullinj dhe prodhimi i lartë vitet e fundit, kanë bërë që në zonën e Himarës të hapen fabrika për përpunimin e ullinjve dhe prodhimin e vajit. Prej gati dy vitesh në këtë zonë familja Lala ka investuar në një fabrikë të tillë, duke marrë parasysh numrin e fermerëve që kultivojnë ullinj e njëkohësisht duke u mundësuar banorëve të nxjerrin vajin nga ullinjtë e tyre. 

 

“Fshati jonë i Borshit, në përgjithësi bregdeti, ka shumë ullinj dhe fermerë që kanë nevojë që të vijnë  të bluajnë ullinjtë e tyre. Për këtë arsye  unë së bashku me vëllain, vendosëm të hapim këtë fabrikë. Sigurisht për interesin tonë por edhe për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.

Investimi është yni pra me mundësitë tona, teknologjia është italiane, njerëzit vijnë, përpunojnë ullinjtë dhe marrin vajin. Vaji del shumë cilësor, ulliri është i pastër dhe bio, pa kimikate. Fabrika jonë ka kapacitet 20 kuintal në orë.

Pandemia tek ne nuk ndikoi shumë. Në zonën tonë sivjet prodhimi ka qenë i lartë dhe kemi punuar mirë. Në Himarë ka patur rritje të sipërfaqeve të mbjella me ullinj”, shprehet administratori i fabrikës, Ilirian Lala.

 

Iliriani tregon për RTSH edhe proceset që ndiqen në këtë fabrikë.

 

“Vjen ulliri, e merr makineria e con në lavatrice, pasi lahet kalon në mullirin që i bën bluarjen, më  mbrapa hidhet masa që parapërgatitet për tu shtrydhur, pas kësaj kalon në makinerinë që shtrydhet dhe mbrapa shtrydhjes, kalon në makinerin që ndahet vaji mënjanë dhe ujërat mënjanë ky është procesi që ndiqet në fabrikën tonë’’, shprehet Lala.

 

Puna e mirë e këtyre viteve ndërkaq  po bën që pronarët e kësaj fabrike të përparojnë dhe investojnë në aktivitetin që kanë nisur.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme