Situata hidrike në qarkun Shkodër nën kontroll, Angoni inspektime në Urën e Bunës dhe Bahçallëkut
Sociale | 6 vite më parë

Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Mbrojtjes Civile, po monitoron në terren situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të shiut të rëna ditët e fundit në qarkun e Shkodrës.
Prefektja Angoni inspektoi hidrometrat në Urën e Bunës dhe në Urën e Bahçallëkut mbi Lumin Drin, ku konstatohen nivele në rritje të Liqenit të Shkodrës, që reflektohet në Lumin Bunë, ndërsa ruhet qëndrueshmëria në bazenin e Drinit, ku shkarkimet e kontrolluara nga H/C-et, nuk përbëjnë problem për zonën e Nënshkodrës.
Në vijim të ndjekjes së situatës, Angoni ka parë nga afër përmbytjet në njësinë administrative Velipojë, ku si pasojë e dallgëve të detit, janë përmbytur hotele dhe shtëpi që ndodhen kryesisht në pjesën pas shëtitores Velipojë.
Aktualisht situata në këtë njësi administrative, po shkon drejt normalizimit, pasi ujërat janë drejt drenazhimit.
Një problematikë tashmë e njohur dhe e bërë publike mediatikisht, mbetet gërryerja e tokës bujqësore që po bëhet nga Lumi Drin në njësinë administrative, Bërdicë, çështje e ngritur edhe në mbledhjet e zhvilluara me Komisionin e Mbrojtjes Civile.
Lidhur me masat e marra për parandalimin e gërryerjes në zonën e Berdicës, me këmbënguljen e Prefektes Angoni, është miratuar një fond emergjence për të cilin kanë nisur procedurat ligjore nga Ministria e Mbrojtjes, ndërkohë që po zhvillohen dhe disa tryeza të nivelit teknik lidhur me këtë çështje.
Aktualisht situata hidrike në qarkun Shkodër është nën kontroll, ndërsa në ditët në vijim do vijojë inspektimi varësisht dhe nga situatat e krijuara sipas parashikimeve të motit./Atsh/

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




