Basha: Më 11 maj Koalicioni Euroatlantik synon ndryshim, jo riciklim

Politikë | 2 vite më parë

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, gjatë një aktiviteti me mbështetësit dhe simpatizantët ka prezantuar kandidatët për deputetë para strukturave në Kamëz.

Gjatë fjalës së tij Basha, theksoi se qëllimi i koalicionit është një ndryshim i vërtetë për Shqipërinë më 11 maj, duke shmangur rotacionin dhe riciklimin politik.

Duke iu referuar raportit të fundit të DASH, Basha tha se edhe administrata e Trump e ritheksoi se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ai nënvizoi se Koalicioni Euroatlantik është i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“ Më 11 maj jo thjesht rotacion, më 11 maj jo riciklim, më 11 maj ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Më tej Basha shtoi se, “Ne të gjithë e dimë se çfarë interesash të mëdha janë luajtur dhe luhen. Ne të gjithë e dimë dhe sot  Departamenti Amerikan i Shtetit, i administratës së presidentit Trump, pati rastin të na e rikujtojë zyrtarisht se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe për reputacionin tonë ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të na e kujtojë, ne e dimë fare mirë, nuk ka pengesë më të madhe për zhvillimin tonë se korrupsioni. Nuk ka njollë më të madhe në reputacionin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë se korrupsioni. Por po kështu, e treta dhe më e rëndësishmja që na ka mbledhur në këtë sallë, është një bindje të cilën e kemi ndarë prej ditës së parë, jo ditën e fundit. Dhe që e mbajmë fuqimisht në zemrat tona si të djathtë të vërtetë, si të djathtë me bindje dhe me thelb, jo thjesht në sipërfaqe, se demokratët shqiptarë, e djathta shqiptare, Koalicioni Euroatlantik, Shqipëria nuk ka mik më të mirë se SHBA-të dhe se rrugëtimi ynë përpara mund dhe do të bëhet vetëm krah aleatëve tanë strategjik”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme