Operacioni ndërkombëtar “The Wanted”, arrestohet në Spanjë 36-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentative

Aktualitet | 59 minuta më parë

Struktura e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”. Si rezultat i shkëmbimit në kohë të të dhënave informative me Interpol Madridin, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor në Spanjë i shtetasit A. N., 36 vjeç, lindur në Shkodër, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Ndaj 36-vjeçarit rëndojnë akuza të rënda penale që lidhen me një ngjarje të ndodhur dy vite më parë në veri të vendit.

“Në vitin 2022, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja’, mbetur në tentativë, dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Detajet e ngjarjes dhe procedurat e ekstradimit

Sipas dosjes hetimore të autoriteteve shqiptare, i arrestuari akuzohet se “në muajin mars 2022, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të subjektit në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen ‘Skënderbeg’, duke shkaktuar vetëm dëme materiale”.

Pas kapjes së tij në territorin spanjoll, procedurat ligjore për transferimin e tij drejt drejtësisë shqiptare janë në vijim e sipër. Aktualisht, “Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 36-vjeçarit në Shqipëri”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme