Shqipëria në Platformën e Dialogut Europian, Komiteti i Përbashkët në kuadër të aderimit në BE
Shqipëria do të jetë pjesë e platformës së Komitetit Europian Ekonomik dhe Social, falë ngritjes së komitetit së përbashkët konsultativ të përbërë nga gjashtë anëtarë shqiptarë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, bëri me dije këtë lajm, i cili vjen në kuadër të aderimit në BE.
“Në kuadër të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, për herë të parë krijohet ky komitet i përbashkët konsultativ. Qëllimi kryesor është që të ulen në të njëjtën tryezë sindikatat, pra përfaqësuesit e punëmarrësve, punëdhënësve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kjo platformë përbëhet nga 329 anëtarë nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Ata kanë pranuar që ne të jemi pjesë e kësaj platforme përpara aderimit, në mënyrë që strukturat tona të jenë gati në momentin që bëhemi anëtar me të drejta të plota,” deklaroi zv.ministrja Manjani.
Ajo u ndal edhe tek mënyra e funksionimit.
“Do të përbëhet nga 6 anëtarë përfaqësues të palës europiane dhe 6 anëtarë përfaqësues të palës shqiptare dhe do të bashkëdrejtohet nga të dyja palët nëpërmjet bashkëkryetarëve të secilës palë. Përveç anëtarëve, në këtë komitet të përbashkët mund të ftohen të marrin pjesë në çdo platformë tjetër të dialogut social edhe anëtarë të tjerë, të cilët do të kenë rolin e vëzhguesit,” sqaroi znj. Manjani.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar vijoi me të tjera pika të rendit të ditës, ndër ta informimi mbi raportin vjetor të inspektimit për vitin 2024, si dhe analiza vjetore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



