Basha në Londër: Emigracioni masiv, pasojë direkte e dështimit të qeverisë

Politikë | 2 vite më parë

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, gjatë një takimi me shqiptarët e diasporës në Londër, ka deklaruar se emigracioni masiv është pasojë direkte e dështimit të qeverisë Rama.

Në fjalën e tij, Basha vlerësoi rolin e emigrantëve shqiptarë si pasqyra e shpresës dhe forcës së qytetarit shqiptar. Basha tha se “arsyet pse shqiptarët po largohen lidhen me mungesën e drejtësisë, arsimit cilësor, tregut të punës me paga dinjitoze dhe kushteve të barabarta që do t’i lejonin të rinjtë të ndërtonin të ardhmen në vendin e tyre”.

Ai tha se integrimi europian i Shqipërisë dhe korrupsioni janë në konflikt interesi.

“Angazhimi ynë në 1 qershor, është themelimi i njësisë së rikuperimit të pasurive të vjedhura. Pasurive të vjedhura të shqiptarëve. Dhe këto pasuri, siç e dini fare mirë ju vëllezërit dhe motrat tona në Londër, nuk janë vetëm në Shqipëri, nuk janë vetëm në Tiranë apo në bregdet, janë dhe jashtë Shqipërisë. E dini fare mirë ju. Janë dhe këtu në Londër. Dyqane, prona të patundshme. Politikanëve shqiptarë me 2 mijë euro në muaj sa dyqane mund të blesh në Londër? Sa biznese të suksesshme mund të kesh në Londër me 1800 euro në muaj saç është rroga e drejtorit të tatimeve? Se i bie që çmimet këtu të jenë më të ulëta se në Pukë. Apo jo? Unë e di që në UK, është pak më shtrenjtë se në Pukë, apo jo? E pra, nëjsia e rikuperimit të pasurive të vjedhura ka këtë detyrë: Të gjurmojë me mjete active të hetimit pasuritë e politikanëve të korruptuar shqiptarë që në fakt nuk janë pasuritë e tyre, janë pasuritë tuaja, janë pasuritë e të afërmve tuaj”, tha Basha. /ATSH

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme