Lammy: Britania e Madhe do normalizim paqësor mes Kosovës dhe Serbisë

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy ka deklaruar se Britania e Madhe kërkon që Kosova dhe Serbia të kenë normalizim të qëndrueshëm e paqësor.
Në konferencën e përbashkët me presidenten, Vjosa Osmani, Sekretari i Jashtëm britanik tha se shpreson që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja.
“Duam normalizim të qëndrueshëm e paqësor për ju këtu në Kosovë, mes Kosovës e Serbisë. Mbretëria e Bashkuar është padyshim kontribuues i madh në KFOR. E kam vizituar KFOR-in herën e fundit kur kam qenë këtu dhe do t’i vizitojë prapë. Është plotësisht qenësore për sigurinë tuaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Pata kënaqësinë te jem me përfaqësuesin e lartë të BE-së para dy javësh në Londër e të diskutojmë Ballkanin Perëndimor dhe të diskutojmë Kosovën, dhe nismat e saj dhe pres që të punojmë me kolegët evropian në këtë kohë të sfidave e të luajmë rolin tonë të plotë përkrah Bashkimit Evropian për të siguruar që të kemi dialog, por edhe progres që funksionon për njerëzit, për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, tha Lammy.
Sekretari i Jashtëm britanik vuri në dukje gjithashtu se është e rëndësishme që Kosova të shënojë progres në udhëtimin e saj euroatlantik.
“Dhe me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresojmë që do të mund të anëtarësoheni në Këshillin e Evropës. Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për t’i krijuar lidhjet brenda këtij rajoni dhe pjesës tjetër të Evropës dhe do të bëjnë çka është e mundur për ta mbështetur atë proces në muajt e ardhshëm”, vijoi tutje ai.
Zyrtari i lartë britanik tha se dhe ka punë të tjera që shtetet mund të bëjnë së bashku për ta luftuar krimin e organizuar.
“Këto banda rrezikojnë rajonin dhe shoqërinë dhe e lënë shenja si një rajon më i pasigurt, duhet ta luftojmë këtë”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



