Sveçla: Vrasja e policit Muhamed Lika, sulm ndaj institucioneve të Kosovës

Kosovë | 2 vite më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik është sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe sigurisë së Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se autoritetet e Kosovës janë mobilizuar të arrestojnë autorin e kësaj ngjarjeje.  

“Sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Vrasja e mbrëmshme e Rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri ka ftuar autorin apo autorët e kësaj ngjarjeje që të dorëzohen sa më parë në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje.

“Kontributi i Rreshter Muhamedit si në çlirimin e vendit ashtu edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Rreshter Muhamedit, zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe të gjithë atyre që e kanë pasur fatin të njohin atë. U prehtë në paqe në tokën e Republikës sonë të cilës i shërbeu gjithmonë me vullnet e guxim”, shprehet Svelça.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme