Berisha kontratë për pensionistët dhe punëtorët me Sindikatat e Bashkuara: Do e zbatojmë brenda 100 ditëve të qeverisjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Sindikatat e Bashkuara të Pavarura të Shqipërisë, duke theksuar angazhimet për përmirësimin e kushteve ekonomike, mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe pensionistëve, si dhe eliminimin e korrupsionit. Berisha u shpreh gjatë konferencës për media se sindikata do të qëndrojë në krye të përpjekjeve për të luftuar regjimin dhe për t’i dhënë fund persekutimeve politike dhe abuzimeve me pasuritë e shqiptarëve.
Gjatë këtij takimi, Berisha ka firmosur gjithashtu një kontratë me Sindikatat e Bashkuara të Pavarura të Shqipërisë, duke premtuar angazhimin për realizimin e premtimeve për pensionistët dhe punëtorët. Ai tha se kontrata do të zbatohet në mënyrë të plotë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së Partisë Demokratike, duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe amendament ligjore për statusin e pensionistëve dhe punëtorëve.
“Ajo kontratë do zbatohet nen për nen dhe pikë për pikë. Madje do zbatohet për naftën, minierat, metalurgjinë. Kontrata që firmosim sot për pensionin, për amendament ligjore, për statusin, iu jap fjalën e nderit që 100 ditët e para të PD do të jetë realitet. Për të gjithë ata që me pensionin e tyre, numërojnë ditët për të mbyllur muajin, nuk marrin dot ilaçet, presin që t’ua dërgojë dikush ose rrinë pa mjekuar, kjo paketë jep një përgjigje të parë, një hap i parë për të vazhduar më tej që shqiptarët kurrë të mos njohin mjerimin, të mos njohin më varfërinë ekstreme. Ndaj dhe ne kemi vendosur që në 100 ditët e para do kalojmë ligjin për minimumin jetik”, tha Berisha.
Berisha premtoi se do të rrisë pensionet me 20% dhe do t’i indeksojë ato dyfishin e inflacionit, ndërsa do të vendosë një minimum jetik prej 200 eurosh për pensionistët dhe ata në ndihmë ekonomike.
“Minimumi jetik do të jetë për çdo shqiptar, për çdo pensionist që merr nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo person në ndihmë ekonomike, do jetë 200 euro. Nga ky minimum përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë që janë me pensione të pjesshme. Pensionet do rriten me 20 % dhe do indeksohen dyfishin e inflacionit. Pas kësaj, ne do vendosim pagën për orë pune. Ne do ecim në rrugën që ecin vendet e lira. Vendet e lira nuk ecin në rrugën e shfrytëzimit të egër, ecin në rrugën e përhapjes së mirëqenies, rritjes së nivelit të jetesës së tyre” tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




