Lufta kundër krimeve zgjedhore – OSBE organizon tryezë me Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe KQZ
Prezenca e OSBE-së dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë organizuar një tryezë teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore.
“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: të sigurohemi që shkeljet zgjedhore jo vetëm të identifikohen, por edhe të hetohen, të ndiqen penalisht pa vonesa dhe në mënyrë të plotë,” tha kryetari i Prezencës së OSBE-së, Michel Tarran.
“Ka nevojë për një qasje proaktive, jo për një qasje pasive, çka duhet të shoqërohet me hetime të shpejta, hetime intensive, hetime gjithëpërfshirëse me të gjitha institucionet ligjzbatuese,” u shpreh Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Garanci për përkushtim maksimal në zgjedhje dha edhe Policia e Shtetit.
“Ne nuk do të hezitojmë për të proceduar dikë që shkel ligjin. Aktorët politikë të jenë më të kujdesshëm lidhur me mbështetësit e tyre në terren,” deklaroi Sokol Bizhga, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Ndërsa kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar se ky bashkëpunim ndërinstitucional i arritur është një real dhe efektiv.
“E kuptoj që për dikë ka skepticizëm. Ditët dhe javët në vijim, gjatë fushatës zgjedhore, do të konfirmojnë angazhimin e vërtetë dhe të përgjegjshëm të tri institucioneve,” tha z. Celibashi.
Pjesë e takimit ishin prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, Policia e Shtetit dhe organizata të njohura të shoqërisë civile, të cilët i vijuan diskutimet me dyer të mbyllura.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




