Tentoi të korruptojë drejtorin e AKU-së, Tiranë. Gjykata e Posaçme lë në shërbim prove 43-vjeçarin

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë ka dërguar në shërbim prove Namik Koçin i cili akuzohej për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi ai u kap nga policia teksa 43-vjeçari tentoi të korruptonte drejtorin e AKU, Tiranë. Koçi ka përfituar nga gjyikimi i shkurtuar ku nga 1 vit burgim ai do të dërgohet në shërbim prove, me punë të detyruar për komunitetin për rreth një vit e 4 katër muaj, “gjatë së cilës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale, dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës, që mbulon vendbanimin e tij.”
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Namik Koçi, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Namik Koçi i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënia në provë e të pandehurit Namik Koçi për një afat prove një 1 (vit) e 4 (katër) muaj, gjatë së cilës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale, dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës, që mbulon vendbanimin e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë.
Shuma e kapur prej 70.000 lekësh është sekuestruar gjatë hetimit paraprak, ndërsa i është kthyer shuma 215.000 lekë si dhe aparati celular.
Namik Koçi u arrestuar nga policia e Tiranës më 22 shkurt pasi tentoi që të korruptojë drejtorin e AKU-së Rajonale në Tiranë (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit).
Sipas policisë 43-vjeçari, pronar i një baxhoje në Durrës ka tentuar se të korruptojë drejtorin e AKU-së duke i ofruar një shumë parash, me qëllim lehtësimin e procedurave për testimin e produkteve të baxhos së tij.
“Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka tentuar të korruptojë drejtorin e AKU-së Rajonale Tiranë, duke i ofruar atij një shumë parash, me qëllim lehtësimin e procedurave për testimin e kampioneve të marra në subjektin e tij tregtar (baxho), në Durrës”- njoftoi më 22 shkurt policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




