SEPA: Bankat shqiptare dorëzojnë aplikimet, transfertat ndërkufitare nisin në tetor

Botë | 2 vite më parë

Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave kanë dërguar sot pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), paketën e aplikimeve për anëtarësimin e bankave në skemën e transfertave të kreditit SEPA.

“Të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën individualisht aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025. Kjo është koha më e parë, e vendosur nga EPC, kur ofruesit e shërbimeve në Shqipëri mund të nisin kryerjen e këtyre transaksioneve ndërkufitare në Euro përmes SEPA-s”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, vendimi për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA u mor nga EPC më 21 nëntor 2024, ndërsa institucionet financiare mund të nisnin aplikimin për aderimin në skemat e pagesave SEPA vetëm duke nisur prej këtij muaji.

“Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave kanë orientuar intensivisht bankat në procesin e aplikimit, duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit.

“Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë organizoi disa ëorkshop-e me ekspertë të Bankës Botërore për të qartësuar kërkesat dhe kriteret për aplikimin e secilit institucion, si dhe për t’i udhëzuar mbi plotësimin e dokumentacionit. Njëkohësisht, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me EPC dhe me komunitetin bankar për të plotësuar çdo mangësi të identifikuar dhe për t’i nxitur të gjitha bankat të jenë pjesë e skemave SEPA”, theksohet në njoftim.

Sipas BSH-së, pjesëmarrja në skemat SEPA do të sjellë përfitime të ndjeshme për konsumatorin dhe biznesin shqiptar, përmes uljes të kostos së transfertave dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë bankat në finalizimin e përshtatjeve teknike, për të qenë të afta të ofrojnë transaksione ndërkufitare më të lira për shqiptarët në momentin më të parë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme