Zgjedhjet e 11 majit, PS çel zyrtarisht fushatën, kërkon një mandat të katërt

Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke kërkuar një mandat të katërt qeverisës. Socialistët zgjodhën datën 12 si një simbolikë e numrit të yjeve në flamurin e Bashkimit Evropian. Ky numër simbolizon edhe atë të qarqeve në vend. Drejtuesit politikë të PS-së në qarqe mbajtën secili fjalën e tyre, duke shprehur synimin për të marrë më shumë mandate se në zgjedhjet e kaluara dhe duke premtuar “një Shqipëri në Europë”.
Për Partinë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030 do të jetë boshti i mandatit të ardhshëm qeverisës.
Skenografia e përzgjedhur përçon qartë mesazhin e sloganit të socialistëve ‘Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, teksa i gjithë ambienti rreth yjeve është i rrethuar me rreth 5 mijë karrige për pjesëmarrësit.
Drejtuesi politik i Qarkut Korçë, Niko Peleshi: 11 maji është vula e Shqipërisë Europaine
Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Korçës, Niko Peleshi e ka konsideruar11 majin si “vulën e Shqipërisë Europiane”.
“Ne socialistët ndërtuam, disa të tjerë pas nesh prishën, më pas ne gjetëm një timonier. Punuam në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë fytyrë europaine dhe arritën në ditën e sotme. Sot është dita për t’i vënë vulën ëndrrës shqiptare për të ardhmen europiane. Sot jemi në një fushatë që nuk është e PS, ndaj sot e gjithë Shqipëria shikon flamujt kombëtar të partive. Sot ne i ftojmë të gjithë pa dallim për Shqipërinë europaine, 11 maji është vula e Shqipërisë Europaine me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, tha Peleshi.
Kumbaro: Qarku i Gjirokastrës, modeli më i artë se çfarë është në gjendje të bëjë PS
Drejtuesja e PS-së për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro shprehu ambicien për të marrë të 4 mandatet e këtij qarku. Sipas Kumbaros, qarku i Gjirokastrës “është modeli më i artë se çfarë është në gjendje të bëjë PS”.
“Me Gjirokastrën me 7 bashkitë e veta, që sot është modeli më i artë se çfarë është në gjendje të bëjë PS dhe vizioni i kryeministrit Edi Rama. Çfarë janë në gjendje të bëjnë shqiptarët kur i jep dorën. Jemi një nga 12 qarqet që do marrë më shumë vota, do blindojmë dhe kemi blinduar 3 mandate dhe do blindojmë edhe një mandat të katërt”, tha Kumbaro.
Manastirliu: Ditë vendimtare për Shqipërinë anëtare të BE. Spiropali: Mision historik të bëjmë realitet ëndrrën europiane
Nga sheshi “Skënderbej”, përfaqësueset politike të PS-së për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali e konsideruan këtë garë elektorale si vendimtare për integrimin e vendit në BE.
“Sheshi i fitoreve të mëdha për t’u bërë bashkë me çdo shqiptarë që tani e ka bërë zgjedhjen që të ecë përpara me vizion europian. Këto 30 ditë që kemi përpara janë ditë vendimtare për të vulosur një zgjedhje që ka nisur prej kohësh që Shqipëria të bëhet anëtare e BE që progresi të bëhet i pakthyeshëm. Tirana është shëmbëlltyra e këtij ndryshimi”, tha Manastirliu.
“Betejat elektorale, ashtu si edhe betejat e tjera, nuk fitohen në sprintin e fundit dhe sot ka filluar sprinti i fundit drejt fitores dhe fitore maratonë. Kjo skuadër ka treguar që janë maratonomakë politikë për Shqipërinë. Betejat fitohen kur punon për njerëzit, kur ke vizion, kur ke një lider që di ç’bën. Kjo është beteja, me Shqipërinë në Europë apo në gropën e atyre nga ku nuk dolën dot as vetë? Ky është mision historik që të bëjmë realitet ëndrrën e paraardhësve tanë. Sot Shqipëria është Shqipëria europiane”, u shpreh Spiropali.
Arbjan Mazniku: 9 mandate në qarkun e Elbasanit, të sigurt drejt Europës
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku shprehu ambicien për të marrë 9 mandate në këtë qark. Në fjalën e tij, ai tha se “Elbasani e ka ndarë mendjen, i qartë dhe i sigurt drejt Europës”.
“Sot nga çdo cep Shqipëria është bashkë, e qartë për drejtimin që do të marrë. Përpara kemi një nga sfidat më të mëdha që Shqipëria ka patur ndonjëherë, bërja realitet e ëndrrës të shqiptarëve prej qindra vitesh, të qenit qytetarë të barabartë me të gjithë ata të Europës. Si gjithë Shqipëria, Elbasani e ka ndarë mendjen, me PS dhe Edi Ramën drejt Europës. Qarku i Elbasanit e ka ndarë mendjen, i qartë dhe i sigurt drejt Europës. Qarku i Elbasanit do të vijë me 9 mandate, me rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë. Shqipëria e ka ndarë mendjen me PS dhe Edi Ramën drejt Europës”, tha Mazniku.
Përfaqësuesi i Qarkut të Lezhës, Ulsi Manja: Më 11 maj sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip
Drejtuesi Politik i Qarkut të Lezhës, Ulsi Manja tha se synimi i PS-së është që të marrë 4 mandate në këtë qark, nga 7 që janë në total. Ai përsëriti edhe njëherë premtimin kryesor të PS-së në këtë fushatë elektorale, integrimin në BE, teksa tha se me 11 maj “ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip”.
“Shqipëria ka qenë prej moti në Evropë, por me Edi Ramën dhe PS, më 11 maj ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip. Edhe ne njëlloj si gjithë të tjerët në familjen e madhe europiane. Më 11 maj, Lezha, Kurbini dhe Mirdita do të votojnë Edi Ramën dhe PS për të marrë jo më pak se 4 mandate nga 7 që ka Qarku i Lezhës”, u shpreh Manja.
Drejtuesi i Qarkut Kukës, Shalsi: Nga Tropoja e Hasi, ka filluar edhe transformimi
Drejtuesi politik i qarkut të Kukësit, Eduard Shalsi, në fjalën e tij në hapjen e fushatës së PS-së, e vuri theksin te transformimi që, sipas tij, ka sjellë kjo forcë politike në këtë qark.
“Qarku i Kukësit nuk është një krahinë, është zemër, është histori dhe është traditë. Kukësi ka provuar një mikpritje të jashtëzakonshme për vëllezërit e motrat tona kosovarë, por unë jam mirënjohës edhe për mikpritjen që më kanë bërë. Nga Tropoja, Hasi, Kukësi, ka filluar edhe transformimi. Mbaj mend si e kisha parë Kukësin vite më parë, baltë në qytet. Shkova disa vite më vonë në Tropojë dhe nuk e njoha Tropojën“, tha ai.
Kryesuesja e Qarkut Fier, zv.kryeministrja Balluku: Është koha t’i shtohemi tryezës së BE, tryeza jonë natyrale
Në fjalën e saj në hapje të fushatë zgjedhore, kryesuesja e listës së kandidatëve të Qarkut Fier, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se besimi i socialistëve është të sigurojnë 10 mandate në qarkun jugor që ajo drejton.
“Po kërkojmë një mandat të katërt. Mandati i katërt ndoshta duket si shumë. Për ata që hedhin çdo ditë baltë mbi ne, por ky është mandati i shqiptarëve, i cili do të përmbushë një marrëveshje që Edi Rama ka nënshkruar me popullin shqiptar në 2013 për ta çuar Shqipërinë një herë e mirë në Europë, për t’i bërë shqiptarët anëtarë në Bashkimin Europian ashtu siç u takon. Shqiptarët që kanë lindur ne mes të Mesdheut, ne zemër të Europës; shqiptarët që janë më europianë se kushdo tjetër. Tashmë është koha që ata t’i shtohen asaj tryeze, që është tryeza e tyre natyrale. Qarku i Fierit ka një objektiv: 10 mandate deputetësh për t’i ulur në sallën e Parlamentit shqiptar, por ama ne punojmë për më shumë. Siç më tha dhe shoku Gramoz sot në mëngjes, priten 11 mandate nga ne. Nëse ne do të jemi të gjithë bashkë, nëse të gjithë shqiptarët do të jemi për Shqipërinë me Edi Ramën në krye nuk ka asgjë që na ndal,” tha Balluku.
Drejtuesi politik i Qarkut të Dibrës: Të votojmë masivisht PS-në
Blendi Klosi, i cili është drejtuesi politik në qarkun e Dibrës, përsëriti premtimin kryesor të Partisë Socialiste në këto zgjedhje, integrimin në BE, duke i bërë thirrje jo vetëm qytetarëve të Dibrës, por të të gjithë Shqipërisë që të votojnë për këtë forcë politike.
“Sfidën më të madhe e kemi me mirëqenien e qytetarëve, ndaj jemi të sigurt që do të fitojmë përsëri. Qarku i Dibrës në këto zgjedhje do të shndërrohet si gjithë Shqipëria, një qark që do të votojë masivisht PS. Kjo forcë politike e cila ka shumë frymë, organizim dhe një lider që atë që premton e bën dhe ai na ka premtuar gjithë shqiptarëve që do të jemi pjesë e BE brenda këtij mandati, prandaj të votojmë masivisht Dibra dhe gjithë Shqipëria Edi Ramën dhe PS”, tha Klosi.
Drejtuesja politike e PS në Durrës, Sako: Mandati i katërt për të vazhduar transformimet e mëdha
Drejtuesja politike e PS-së në Durrës, Emirjana Sako, njëkohësisht kryebashkiakja e qytetit bregdetar, tha të shtunën se ambicia e madhe e socialistëve për parlamentaret e sivjetme është mandati i katërt me synimin për të përmbushur misionin e anëtarësimit të vendit në BE brenda dekadës.
“Ne hyjmë në këtë garë si fitues me 8 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do ta përfundojmë garën të paktën me 9 deputetë. Populli i Durrësit, i Krujës, Shijakut do të na besojë mandatin e katërt për të përmbushur misionin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të çuar në vend amanetin e tyre, që në zonën tonë luftuan për një Shqipëri europiane, me liri e të drejta të garantuara për të gjithë dhe për t’u dhënë të gjithë fëmijëve tanë pasaportën e qytetarëve të barabartë të Europës. Durrsakët, krutanët dhe shijakasit do t’ia besojnë mandatin e katërt Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për të vazhduar transformimet e mëdha, për të rritur pagat dhe për të mbështetur pensionistët e shtresat në nevojë, si edhe për të ndërtuar vepra të tjera madhore të shumëpritura, si Marina e Durrësit, porti i Porto-Romanos, hekurudha bashkëkohore e infrastrukturë, projekti i amfiteatrit të Durrësit, stadiumet e qyteteve tona, akademinë e Manchester City dhe Rafael Nadal,” tha Sako.
Drejtuesi politik i Shkodrës, Beci: Bashkëpunimi i pushtetit vendor dhe qendror, kyçi i suksesit tonë
Në hapjen zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e 2025-ës, drejtuesi politik i PS-së në Shkodër dhe kryebashkiaku i qytetit, Benet Beci, shprehu besimin për fitoren e 5 mandateve në qarkun e tij.
“Ne besojmë shumë se me atë që janë bërë, me investimet që sot po kryhen në Shkodër… Shkodra është kthyer në një kantier ndërtimi që nga hyrja deri në Dukagjin. Shkodra realisht, jo vetëm simbolikisht, është porta e Europës në Shqipëri. Ne me premtimet që kemi dhënë dhe punën që po bëhet kemi provuar që një bashkëpunim i pushtetit vendor dhe i pushtetit qendror, siç u bë në Shkodër gjatë kësaj periudhe, është kyçi i suksesit tonë të viteve të fundit. Jo vetëm hyrja e Shkodrës, jo vetëm rruga e Dukagjinit, jo vetëm autostradat rreth Shkodrës, jo vetëm kthimi i Shkodrës në qendër rajonale, këto janë ato që na bëjnë besimplotë dhe e themi me plot gojën që besimin që na dha Shkodra këto dy vjet ne do ta çojmë më tej. Së paku me 5 mandate, Shkodra do të vijë kësaj radhe në këto zgjedhje,” tha Beci.
Drejtuesi politik i PS-së në Berat, Demo: 11 maji, një udhëkryq i rëndësishëm për qarkun tonë
Qarku i Beratit do të kthehet në zemrën e Jugut, tha të shtunën drejtuesi politik i PS-së në Qarkun Berat, Ervin Demo. Ai theksoi se zgjedhjet e 11 majit do të jenë vendimtare për një synim madhor siç është integrimi në BE, por edhe për transformimin e qarkut të tij.
“Ne jemi të gjithë europianë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse jemi të gjithë krenarë që jemi shqiptar dhe nuk ka rrugë për integrimin në bashkimin Europianë në qoftë se nuk ndihemi komodë me kulturën tonë. Ne jemi shumë krenarë që në qarkun e Beratit kanë ndodhur transformime të jashtëzakonshme dhe jemi akoma më shumë krenarë që data 11 maj është një udhëkryq i rëndësishëm për qarkun tonë. Në Berat jemi të bindur se 11 maji do të jetë rrugëtimi i jashtëzakonshëm për qarkun tonë. Rruga Berat–Skrapar, që është një ëndërr e jashtëzakonshme për të gjithë ata banorë, është një ëndërr që Beratin e kthen në zemrën e Jugut të Shqipërisë. Lidhja me Korçën, me Përmetin, me Gjirokastrën e kthen beratin në një motor zhvillimi, që do ta çojë në lartësitë që sot as nuk i imagjinojmë,” tha Demo.
Drejtuesi politik i PS-së në Vlorë, Bledi Çuçi: Europa është destinacioni ynë natyral
“Jemi sot në këtë shesh në një moment historik jo vetëm për të kërkuar votën tuaj, por për të bërë realitet bashkë me ju një ëndërr të përbashkët: pasaportën europiane për çdo shqiptar. Mandati ynë i katërt nën drejtimin e Edi Ramës do të jetë kurorëzimi i rrugëtimit tonë të përbashkët për një Shqipëri, që më në fund bëhet anëtare me të drejta të plota në familjen europiane, me liri, dinjitet për çdo shqiptar në çdo cep të Europës. Vlora hyn në këtë garë si shëmbëlltyra më kuptimplotë e vizionit të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, e fuqisë transformuese të saj, nga një qytet i harruar dhe i degraduar në një nga perlat e Mesdheut: lungomare, bulevardi, rivitalizimi i qendrës historike, aeroporti i ri ndërkombëtar, tuneli i Llogorasë dhe rreth 150 projekte të mëdha publike vetëm në qytet dhe qindra investime të tjera në çdo njësi administrative, ne kemi provuar si përkthehet vota për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Vijmë sot në shesh me 8 mandate të konsoliduara dhe ju premtojmë se do të vijmë në datën 12 [maj] me 9 të tilla, sepse qytetarët e këtij qarku dinë të njohin ndryshimin, dinë të besojnë te ata që punojnë dhe janë mjaftueshëm të mençur për të mos e hedhur votën dëm në kënetë. Ne nuk kërkojmë vetëm votën e socialistëve, por të çdo qytetari që beson se Europa është destinacioni ynë natyral. Kështu që më 11 maj le ta përfundojmë bashkë këtë betejë përtej ndasive të vjetra,” tha Çuçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




