Rama takim me diasporën në Milano: Kjo votë ndryshon rrjedhën e historisë dhe përcakton të ardhmen evropiane të vendit

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Milano, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku theksoi rëndësinë historike të votës së shqiptarëve jashtë vendit. Për herë të parë, diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të votojë pa qenë e detyruar të udhëtojë drejt Shqipërisë.
“Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve që ju keni mundësi të votoni pa pasur nevojë të vini në Shqipëri. Në vend që të vini ju tek ne, kemi ardhur ne tek ju. Dhe më vjen mirë që këtë zotim e kemi bërë realitet,” tha Rama para një salle të mbushur me emigrantë shqiptarë në Milano.
Duke e cilësuar këtë moment si një udhëkryq historik, Rama u shpreh se vota e diasporës mund të ndryshojë rrjedhën e historisë së vendit dhe të përcaktojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
“Ishte e thënë që në të parat zgjedhje ku diaspora merr pjesë, fati i shqiptarëve të na sillte në një zgjedhje që është si një përballje përfundimtare me historinë tonë duke na e dhënë ne shansin që me një votë t’ia ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë. Një votë për të ndryshuar historinë dhe për të bërë historinë. Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes një votimi politik për partinë që do të qeverisë në 4 vite dhe një votim historik përtej partive për Shqipërinë që në 4 vite ne mund ta bëjmë zonjë anëtare të familjes së BE-së. Për herë të parë ne e kemi në dorë vetë fatin evropian të vendit”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek drejtësia, duke theksuar se reforma është një nga arritjet më të mëdha të qeverisjes së tij, dhe se sulmet ndaj saj nga opozita janë të rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Ai bëri thirrje që shqiptarët të marrin fatin e vendit në dorë përmes votës dhe të mos lejojnë që, siç u shpreh, “Shqipëria të futet përsëri në kënetën e së kaluarës”.
“Shqipëria sot është krejt ndryshe nga sa ishte kur ne morëm detyrën. Shqipëria sot nuk do të jetë njësoj, përkundrazi, do të jetë shumë më ndryshe nga Shqipëria 2030 në BE. Do të jetë një vend me një tjetër pozicion dhe tjetër fuqi, do jetë një shtet në familjen e BE me të drejta dhe liritë që ne nuk i kemi akoma dhe nuk do i kemi nëse sot të gjithë së bashku nuk e bëjmë pjesë të kësaj familje. Populli duhet ta marrë vetë në dorë të ardhmen e vendit dhe ta shpreh me votën e tij lirinë dhe pavarësinë e drejtësisë që po ndërtojmë. Nëse disa ministra kanë probleme me drejtësinë e pavarur, që ne e kemi krijuar, kjo nuk do të thotë që ne duhet të ulim kokën, por të jemi krenar për drejtësinë si asnjëherë tjetër. Ata janë këneta që jo nuk i lanë drejtësisë radhë të thotë fjalën e tij, por ka arritur ajo kënetë të marrë edhe jetë të pafajshme njerëzisht dhe të pengojë me forcën e pushtetit drejtësinë të bëjë punën e vet, dhe sot duan të rikthehen përsëri. Bufi i kënetës do të rikthejë Shqipërinë përsëri në gropën e tij vetëm për hallin e tij. Prandaj dua që të gjithë të më besoni dhe këtë mesazh ta marrin sa më shumë shqiptarë dhe shqiptare. Këtu nuk bëhet fjalë për pushtetin tonë në vetvete, nuk bëhet fjalë për të marrë një votë më shumë se sa këneta, këtu bëhet fjalë për t’i dhënë Shqipërisë të gjithë së bashku mundësinë që të vrapojë drejt objektivit dhe të mos ndalet në asnjë minutë në kryerjen e negociatave dhe që Shqipëria 2030 të ulet në tryezën e BE dhe ta garantojë përfundimisht pa asnjë mundësi prapakthimi. Deri në atë moment vetëm ne, Partia Socialiste, mund ta mbrojmë drejtësinë nga ofensiva e bufit që përbetohet se do shkrijë SPAK”, tha Rama.
Takimi në Milano është pjesë e turit të Edi Ramës në disa qytete evropiane, ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptarësh, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e ardhshme.
Rama: Pagën mesatare do ta çojmë të paktën në 1 mijë e 200 euro
Rama deklaroi në takimin me shqiptarët në Milano se në Shqipërinë 2023 të ardhurat vjetore për frymë do arrijnë të paktën në 15 mijë euro, një rritje kjo, sipas tij, me 5 herë krahasuar me të ardhurat vjetore që shqiptarët kishin deri në 2013.
“Kur ne morën detyrën Shqipëria prodhonte më pak se 10 miliardë euro në totalin e vet. Sot prodhojmë 25 miliardë euro dhe në vitin 2030 do ta çojmë në 35 miliardë euro. Vetëm kështu mund të rrisim të ardhurat për frymë. Kur morëm detyrën, ato ishin 3 mijë e pak euro për frymë, ndërsa sot janë 10 mijë e 400 euro për frymë. Në Shqipërinë e vitit 2030 do ta çojmë në 15 mijë euro për frymë.”, tha kryeministrit.
Ai deklaroi se ka rritje të pagave mesatare në sektorin publik.
“E gjetëm në 370 euro, sot e kemi çuar në 1 mijë euro dhe në Shqipërinë e vitit 2030 do ta çojmë të paktën në 1 mijë e 200 euro. Të votosh për Shqipërinë 2030 në BE do të thotë të investosh për një Shqipëri të re, si në aspektin e të drejtave, ashtu edhe në atë financiar, sepse në sofrën evropiane do të ketë një buxhet solidariteti ekstra çdo vit. Nëse BE na ka dhënë rreth 1 miliard euro gjatë këtyre viteve, pas futjes në BE, çdo vit do të marrim 1 miliard euro, që do të jenë fonde të lëvruara rregullisht.
Ajo që ka ndoshta rëndësi më të drejtpërdrejtë për ju, është jo vetëm fakti që me hyrjen në BE mundësitë tona si qeveri, si buxhet, do të jenë shumë më të mëdha për të mbështetur njerëzit, por edhe sepse me hyrjen e Shqipërisë në BE, çdo shqiptar dhe shqiptare, kudo ku është, do të marrë pasaportën evropiane. Pasaporta evropiane e BE-së nuk është një dokument udhëtimi si çdo tjetër, por është një status. Është një status i ri qytetarie, një status që për ne, si banorë ndër më të vjetrit të këtij kontinenti, që ndoshta s’i kemi thënë askujt “na e jepni”, por që kemi ngritur kokën dhe kemi ardhur këtu me përpjekje, do të na japë mundësinë që me atë pasaportë të kemi dinjitet të barabartë me çdo italian, francez dhe me këdo tjetër”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



