Berisha me diasporën shqiptare në Bresha: Më 11 maj firmosni fundin e narkodiktaturës

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar të dielën turin e takimeve me diasporën shqiptare në Itali, në Breshia, në kuadër të zgjedhjeve elektorale të 11 majit.

Berisha e nisi fjalën përpara diasporës në Breshia, duke vlerësuar fillimisht shqiptarët në Breshia si shembuj suksesi dhe sakrifice.

“Nderimet më të mëdha për të gjithë ju që shndërruat 2025 në vitin tuaj, në vitin e fitores mbi diktaturën e drogës, krimit, në vitin e shpëtimit të Shqipërisë. Stacioni i parë që nisa pas startit të fushatës jeni ju, është Breshia. Sepse kjo fushatë është madhështore, shpresëdhënëse, falë jush dhe diasporës. Jam sot i frymëzuar dhe nderuar të jem mes jush. Historia juaj është burim frymëzimi. Jeni shqiptarët të sakrificave të mëdha. Takimi me ju është takim me sakrificën e njeriut. Jeni shqiptarë të suksesit. Erdhët në Itali si njerëzit më të vuajtur nga diktatura më e egër. Erdhët me të panjohura të mëdha dhe Italia mike ju ofroi bujarinë, mikpritjen e tyre. Falënderim i madh shkon për miqtë italian: Viva Italia!” tha Berisha.

Berisha shprehu mirënjohjen e tij edhe për Forza Italia që, sipas tij, mbështeti PD-në gjatë momenteve të vështira.

“Nëse ka një forcë politike në Shqipëri që mishëron këto trajta shqiptare është PD. Kaluam një opozitë të gjatë, proces rithemelimi të vështirë. U luftuam 3 vite me radhë për të zhdukur opozitën në Shqipëri. Ashtu si ju që fitoni çdo sfidë dhe ne kaluam çdo pengesë. U ringritëm nga hiri për një mision të shenjtë. Mbrojtëm interesin kombëtar. Do shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura e Edi Ramës. Miqtë tanë italian, udhëheqës të Forza Italia qëndruan me PD, na dhanë zemër, na mbështetën. Vazhduan traditën e pavdekshmit italianit, Silvio Berlusconi, që ishte miku më i madh i PD dhe jo vetëm, miku më i madh i shqiptarëve dhe Shqipërisë”, tha Berisha.

Kryetari i PD e quajti Ramën “Toto Rina” që hapi fushatën më të shkretë të Partisë Socialiste.

“Dje Toto Rino i Shqipërisë, paraqiti programin. Hapi fushatën më të shkretë që ka hapur ndonjëherë ajo parti që nga koha e PPSH. Falënderoj socialistët e Tiranës që e lanë në vetminë më të madhe. U treguat patriotë. U përpoq të mbuloj dështimin me vallen e ministreshave të stolisura si sulltaneshat e Zululandit, me aksesore nga më të kushtueshmit. Në fjalën e tij hallet e qytetarëve nuk ekzistojnë. E mbyllën programin me vallen e hajdutit. 11 maji po vjen, është fundi juaj, ligji ju pret. U tundi shqiptarëve pasaportën evropiane. Pasaporta evropiane e Edi Ramës, ka fytyrën e Taulant Ballës, Erion Veliajt, e bandave dhe Suel Çelës. T’i japim përgjigjen që meriton”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme