Rama: Shqipëria, vend që ka ambicie të bëhet kampion i turizmit në Ballkan. Infrastruktura në standarte evropiane

Ekonomi | 2 vite më parë

Në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, kryeministri Edi Rama tha se e gjithë infrastruktura që është ndërtuar dhe do të vijojë të ndërtohet është një infrastrukturë e standardeve evropiane.

“Dua të them që e gjithë kjo infrastrukturë, që ne kemi projektuar dhe ndërtuar, dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë, është e standardeve evropiane, që nuk ekzistonte. Në pamje të parë, 12 vjet duken shumë për gjërat që njerëzit presin dhe që duhen bërë. Norma mesatare ose minimale e ndërtimit të infrastrukturës në Evropë, në ndërtimin e infrastrukturës, është 7-9 vjet. Dihet botërisht që nga marrja e vendimit te përgatitja e të gjithë fazave, tek përfundimi i projektit, nëse gjithçka shkon më së miri, është 4 vjet. Pastaj realizimi konkret në praktikë, në total është 9 vjet. Ne kemi pasur rrugët, por asnjë rrugë, as të projektuar me standardet e BE, dhe as të financuar, por të gjitha rrugët, kanë qenë inagurime dhe tendera, të pafinancuar”, tha Rama.

Teksa përmendi rrugë të ndërtuara, Rama tha se kemi krijuar një rrjet damarësh dhe arteriesh, për një vend që ka ambicie të bëhet kampion i turizmit në Ballkan.

“Kur e kemi linçuar korridorin blu, filluan të talleshin. Korridori VIII, është komplet tjetër nga çfarë ishte. Logjika e pjesëve të tjera, është logjika e bërjes së rrugëve, për të sjellë më shumë ekonomi. Nga ana tjetër, për të hapur shtigjet dhe për të rritur hapësirën e një vendi që ka ambicien të bëhet kampion i turizmit në Ballkan. Nëse ne do të vendosnim edhe rrjetet e akseve kryesore, por jo kombëtare, ju do shikonit që brenda për brenda këtyre zonave, ka rrugë të reja të rindërtuara. Kemi krijuar damarë dhe artiere të cilat funksionojnë në vetvete, në rrugë të cilat nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën. Krijimi i një rrjeti damarësh dhe arteriesh që bëjnë sens, sepse janë të lidhura me njëra tjetrën. Ne kemi një shfrytëzim intensiv të një fashe shumë të ngushtë, që i përket detit”, theksoi ai.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se vendi do të ketë dy autostrada të kategorisë A që lidhin Shqipërinë me rrjetin e autostradave të BE-së.

“Do të kemi dy autostrada të kategorisë A, që janë dy autostrada që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e autostradave të BE-së. Korridorin blu dhe kur ne e kemi lançuar korridorin blu në fillim fare talleshin me ne. Po ashtu, Korridorin e 8-të i cili është komplet tjetër nga çfarë ishte. Logjika e të gjithë pjesëve të tjera të investuara dhe për t’u investuar është ekzaktësisht logjika e bërjes së rrugëve për të sjellë më shumë ekonomi, qoftë për njerëzit që i aksesojnë qoftë në shkallë kombëtare”, tha Rama.

Rama përmendi edhe ndërtimin e hekurudhave në vend.

“Nëse doni këto vepra infrastrukturore të ndodhin më shpejt, duhet të kuptoni që do ndodhin vetëm nëse bëhemi pjesë e BE. Kur të bëhemi anëtar të BE do të marrim më shumë se 1 miliardë çdo vit dhe 90 për qind do të jenë grant“, tha Rama.

Veç ndërtimit dhe rindërtimit të ifrastrukturës, kryeministri solli në vëmenjde edhe sistemin e kamerave inteligjente, që sikurse thotë ai do të jetë një risi ku policët nuk do të jenë më në rrugë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme