Ndarja nga jeta e futbollistit të Dajtit, presidenti Duka: Humbje tragjike

Futbolli amator në zi. Të martën në mbrëmje është ndarë nga jeta duke luajtur në fushën e lojës, Bledar Hajdari, futbollisti i Dajtit. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e Sunday League, Dajti – Lumninese, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një komunikatë për shtyp duke dhënë ngushëllimet e saj.
Për këtë ngjarje ka reaguar dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili e ka cilësuar si një humbje tragjike që prek të gjithëve në familjen e futbollit shqiptar.
“Ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit amator, Bledar Hajdari, gjatë një ndeshjeje të kampionatit “FSHF Sunday League Albania” është një lajm tronditës, që më ka hidhëruar pa masë.
Një humbje tragjike që na prek të gjithëve në familjen e futbollit shqiptar.
Në këto momente të dhimbshme, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hajdari, të afërmit, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij.
Bledari ishte shembull i dashurisë për futbollin, një djalë i përkushtuar që u largua shumë herët, por që do të kujtohet gjithmonë me respekt.
U prehsh në paqe, Bledar!”.
Komunikata e FSHF-së:
Federata e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur gjatë ndeshjes së vlefshme për gjysmëfinalet e kampionatit të futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League Albania”, FC Dajti-FC Lumninese në Shtëpinë e Futbollit .
Gjatë ndeshjes futbollisti i FC Dajtit, Bledar Hajdari, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është rrëzuar në fushën e lojës.
Menjëherë i është dhënë ndihma e shpejtë, duke e transportuar urgjentisht me ambulancën e pranishme në ndeshje për në spitalin e Traumës.
Për fat të keq, pavarësisht asistencës mjekësore dhe të gjitha përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, futbollisti ka ndërruar jetë.
FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit për këtë humbje të madhe që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
Në këto momente të vështira, Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve të Bledar Hajdarit, duke ndarë me ta pikëllimin për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




