Vendoset sot “fati” i Kuvendit të Kosovës, opozita konfirmon praninë në seancë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë këtë të enjte (17 prill) në orën 12:00 seancën vendimtare për konstituimin e legjislaturës së re.
Pjesëmarrja e partive opozitare – LDK, PDK dhe AAK – është konfirmuar, por mbetet ende e paqartë nëse do të votojnë raportin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për veprim të përgjegjshëm, duke i kujtuar deputetëve se janë zgjedhur për të themeluar institucione, jo për t’i bllokuar ato.
Në reagimin e saj institucional, ajo citoi edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila thekson se asnjë normë e Kushtetutës nuk mund të interpretohet si mjet për bllokim politik.
“Në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata gjithashtu sqaron se: ‘asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, duke theksuar gjithashtu se qëllimi i Kushtetutës sonë është themelimi i shpejtë i institucioneve”, ka theksuar ajo.
Nëse raporti kalon, deputetët do të mund të betohen, ndërsa Kuvendi do të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e tij – hap ky drejt formimit të institucioneve të reja.
Por a do t’i ketë numrat partia fituese për të formuar qeverinë? Kjo pyetje mbetet ende pa përgjigje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




