Sulmi në Banjskë- Prokuroria Speciale paraqet prova për planin terrorist
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur prova kyçe që hedhin dritë mbi mënyrën se si nisi dhe u organizua plani për tragjedinë e 24 shtatorit të 2023-shit në Banjskë të Zveçanit.
Tre të akuzuarit kryesorë për këtë akt – Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq – janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë ku janë deklaruar të pafajshëm e kanë mohuar çdo përfshirje në akuzat që rëndojnë mbi ta.
Ata u arrestuan menjëherë pas sulmit, në të cilin humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ngjarja u cilësua si një nga incidentet më të rënda të sigurisë në veri të vendit pas shpalljes së pavarësisë.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj gjithsej 45 personave, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Sipas Prokurorisë, grupi i armatosur rëndë kishte qëllim të qartë politik dhe strategjik – “kryerjen e veprave terroriste të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të shkëputjes së pjesës veriore të territorit dhe bashkimit me Serbinë.”
Ndërkohë, 42 të akuzuarit e tjerë, përfshirë Milan Radoiçiq, nuk janë pjesë e këtij gjykimi. Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka kërkuar që procesi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, për shkak se ata ndodhen ende në arrati.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe të akuzuarve të tjerë nga Serbia, mirëpo deri më tani nuk ka pasur bashkëpunim nga Beogradi zyrtar. Ata janë shpallur në kërkim nga INTERPOL-i dhe presioni ndaj Serbisë për dorëzimin e tyre është rritur edhe nga faktori ndërkombëtar.
Sulmi i armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023 tronditi sigurinë në veri të Kosovës dhe u dënua ashpër nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare. Vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku gjatë kryerjes së detyrës u konsiderua një akt i pastër terrorist dhe një përpjekje për të destabilizuar vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



