“Akti i fundit” i Kategorisë së Parë, Vora-Flamurtari dhe Apolonia-Lushnja në RTSH

Kategoria e Parë | 2 vite më parë

Do të luhet të dielën java e fundit e sezonit të rregullt në Kategorinë e Parë. Kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga përfundimi i kampionatit, 2 janë dilemat e mbetura në këtë kompeticion.

Cila skuadër do të ngjitet direkt në Abissnet Superiore, Flamurtari apo Besa? Si dhe emri i skuadrës së 4-t që do të luajë në Play Off? Përgjigjen do ta marrim të dielën pas përfundimit të javës së 33-të të Kategorisë së Parë.

Përballja më e rëndësishme luhet në Vorë, aty ku vendasit e Bellait (që tashmë janë shpallur kampionë dhe kanë siguruar ngjitjen në elitë) do të përballen me Flamurtarin e vendit të dytë. Vlonjatët kanë vetëm një pikë më shumë se Besa dhe duan që të ruajnë këtë avantazh edhe në këtë javë të fundit, që të mund të rikthehen në Abissnet Superiore. Sfidën Vora-Flamutari do t mund ta ndiqni drejtpërdrejt në RTSH Sport të dielën në orën 15:00.

Një tjetër sfidë interesante luhet në Fier, aty ku Apolonia do të përballen me Lushnjën në një sfidë që vendos se cila nga skuadrat do të shkojë në Play Off. Aktualisht fierakët kanë një pikë më shumë se lagunarët në renditje, por rezultati i derbit do të vendosë se kush do të vazhdojë të ndjekë ëndrrën superiore. Derbin e Myzeqesë, Apolonia-Lushnja mund ta ndiqni në RTSH 2 në orën 15:00.

Besa e vendit të tretë luan në transfertë përballë Valbonës, që tashmë ka rënë në kategorinë inferiore. Korabi pret Pogradecin në Peshkopi, por tashmë të dyja skuadrat kanë arritur objektivat e tyre.

Erzeni-Kastrioti dhe Kukësi-Burreli janë dy ndeshjet e tjera të javës së fundit të Kategorisë së Parë. Të gjitha takimet do të luhen të dielën në orën 15:00.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme