Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurisë gjobiti 101 zyrtarë gjatë vitit 2024

Aktualitet | 2 vite më parë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka depozituar raportin për vitin 2024 në Kuvendi, ku rezulton se gjatë vitit të kaluar 101 zyrtarë janë gjobitur nga Inspektorati, teksa arkëtimet nga ky zë vitin e shkuar ishin 17,3 milionë lekë apo 173 mijë euro.

Ndërkohë, sa i përket periudhës 10-vjeçare, 2014–2024, Inspektorati i Lartë ka referuar 594 subjekte pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve/Hetimit Tatimor, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, si dhe Policisë së Shtetit, ku janë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkie, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë të përgjithshëm etj.

Për periudhën raportuese janë paraqitur në total 23 raste referimesh penale dhe referime të tjera, prej të cilave një rast është referuar pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Inspektorati nënvizon se gjatë vitit të shkuar, lidhur me ushtrimin e kontrollit të plotë dhe hetimin administrativ për verifikimin e saktësisë dhe vërtetësisë së të dhënave të pasurive, të të ardhurave e detyrimeve të deklaruara nga zyrtarët dhe personat e lidhur me ta, si dhe konstatimin e rasteve të konfliktit të interesave, ka miratuar dhe ka kaluar në kontroll të plotë gjithsej 817 subjekte deklaruese.

Gjithashtu gjatë vitit 2024, Inspektorati ka administruar 4.329 deklarata të interesave private për të forcuar parandalimin e konfliktit të interesave, si dhe rritjen e transparencës institucionale. 

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme