Trump përfshin kostot e trupave amerikane në bisedimet për tarifat me aleatët aziatikë

Dhjetëra mijëra trupa amerikane të vendosura në Korenë e Jugut dhe Japoni duket se do të jenë pjesë e negociatave të tarifave të Presidentit Donald Trump, pavarësisht përpjekjeve të të dy vendeve për të ndarë bisedimet e sigurisë nga tregtia.
Në postimet në platformën “Truth Social”, Trump tha se ndarja e kostove të mbrojtjes do të ishte pjesë e negociatave “one-stop shopping” me Seulin dhe ngriti çështjen e barrës së mbrojtjes gjatë një vizite të zyrtarëve japonezë në Uashington këtë javë.
Japonia pret rreth 50,000 trupa amerikane dhe Koreja e Jugut 28,500. Të dy kombet mbështeten në ombrellën bërthamore të SHBA-së për mbrojtjen kundër Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe shihen si vendimtare për aftësinë e ushtrisë amerikane për të projektuar fuqi dhe ndikim në rajon.
Trump ka sugjeruar më parë se mund të tërheqë forcat amerikane nëse vendet nuk paguajnë, dhe gjatë mandatit të tij të parë, kërkoi miliarda dollarë më shumë.
Të mërkurën, zëvendësministri i parë i jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong-kyun i tha parlamentit se ndërsa Uashingtoni nuk kishte propozuar zyrtarisht rinegocimin e Marrëveshjes së tyre për Masat Speciale (SMA) sipas së cilës Koreja e Jugut mbështet trupat amerikane të vendosura atje, Seuli po përgatitet për skenarë të ndryshëm.
Tokio e sheh çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes si të ndarë nga tarifat, tha një zyrtar i qeverisë japoneze për Reuters. “Fillimisht këto janë çështje të veçanta”, tha zyrtari, duke sugjeruar se kostot e mbrojtjes nuk duhet të jenë pjesë e negociatave për tarifat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



