Dega e turizmit, e preferuara e të rinjve. Frekuentimi rritet rreth 40% nga viti i kaluar
Rritja e cilësisë në shërbimet e turizmit në qytetin e Gjirokastrës ka bërë që shumë të rinj të zgjedhin degën e turizmit në universitetin “Eqrem Çabej”.
Pedagogia e Fakultetit Ekonomik, Antoneta Polo, u shpreh se po preferohet ndjeshëm nga të rinjtë, të cilët kanë mundësinë që pas mbarimit të studimeve të jenë të përgatitur për tregun e punës.
E veçanta për këta studentë është se kohët e fundit ka kërkesa nga biznese për t’u punësuar në industrinë e turizmit.
“Dega e turizmit ka filluar të preferohet ndjeshëm nga të rinjtë në universitetin tonë, falë zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Studentët e preferojnë si degë me shpresën që nesër, kur të mbarojnë këtë shkollë, të kenë një diplomë të vlefshme, që do t’i ndihmojë për të punuar në këtë sektor. Ne kemi kërkesa nga bizneset për studentët,” thotë znj. Polo.
Nevoja e tregut të punës dhe zhvillimi i turizmit, çdo ditë e më shumë po shton interesin e të rinjve, ku gjatë këtij viti ka pasur një rritje të frekuentimit prej 40 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
“Krahasuar me degët e tjera është diçka më pak, por këtë vit është rritur ndjeshëm,” thekson pedagogia e Fakultetit Ekonomik.
Turizmi është një sektor në rritje të vazhdueshme dhe ka nevojë për gjithnjë e më shumë punonjës të aftë dhe me njohuri inovatore.
Gazetar: Ledi Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




