Godina e ish-Shtëpisë së Oficerëve në Mat rilind si Qendër Multifunksionale dhe Banesë Sociale në shërbim të familjeve në nevojë

Sociale | 2 vite më parë

Godina e dikurshme e ish-Shtëpisë së Oficerëve në qytetin e Matit i është nënshtruar një transformimi të plotë, duke u kthyer tashmë në një strukturë funksionale që kombinon banimin social me shërbimet komunitare. Projekti është finalizuar në kuadër të programeve të ndihmës ekonomike dhe strehimit të mbështetura nga Bashkia Mat.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, vizitoi ambientet e rikonstruktuara dhe takoi disa nga familjet përfituese të këtij programi.

“Kjo godinë ka qenë dikur e uzurpuar dhe në gjendje të degraduar, por sot kemi 35 familje që jetojnë në kushte të denja, si pjesë e programit të strehimit social. Kemi krijuar edhe hapësira për aktivitete kulturore, duke përfshirë një sallë për Qendrën Kulturore të Fëmijëve,” u shpreh Kryetari i Bashkisë, Agron Malaj.

Risi e këtij transformimi është krijimi i një qendre multifunksionale në katin e parë të godinës, e cila do të shërbejë si hapësirë për ofrimin e shërbimeve sociale dhe komunitare.

Sipas kryetarit Malaj, objekti i rikonstruktuar kishte probleme serioze qëndrueshmërie dhe ishte në rrezik shembjeje në rast të një tërmeti.

Në total, rreth 300 familje në Mat janë përfituese të formave të ndryshme të strehimit social, ndërsa vijon seleksionimi i aplikimeve të reja për përmirësimin e banesave. Projekti është një shembull i bashkëpunimit midis qeverisjes vendore dhe asaj qendrore në funksion të rritjes së mirëqenies sociale dhe integrimit të shtresave në nevojë në komunitet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme