Punonjësit e Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, do të përfitojnë kompensim të menjëhershëm deri në 1 milion lekë

Sociale | 2 vite më parë

Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, do të përfitojnë kompensim të menjëhershëm financiar deri në 1 000 000 (një milion) lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.

Ky është vendimi i marrë të enjten nga Këshilli i Ministrave, i cili parashikon se Punonjësi i policisë e përfiton kompensimin e menjëhershëm financiar kur:

a) prona i është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori, ose prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë për përmbushjen e detyrave zyrtare;

b) punonjësi i policisë disponon dokument, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë mbi pronën e dëmtuar, ose provon që këtë pronë e ka në proces legalizimi;

c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.

Kushtet e përfitimit

Për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;

b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në prokurori, në rastin kur prona është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij, për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori;

c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë së pronës së dëmtuar, apo që provon se këtë pronë e ka në proces legalizimi;

ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.

Komisioni vlerësues

Sipas vendimit të qeverisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të ngrejë një komisionin vlerësues, i cili përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

b) Një punonjës nga Drejtoria e Mbështetjes Logjistike;

c) Një punonjës nga Drejtoria e Financave;

ç) Një punonjës nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;

d) Një punonjës nga Drejtoria Juridike.

Komisioni kryen vlerësimin e përputhshmërisë së dokumentacionit të paraqitur me kriteret për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vendimin përkatës.

Pagesa për kompensimin

Pagesa për kompensim të menjëhershëm financiar për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Bashkëlidhur me urdhrin, për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar, në rast dëmtimi të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, duhet të gjendet edhe dokumentacioni i përcaktuar.

Në rast se komisioni vendos për refuzimin e dhënies së kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi ka të drejtë të ankimojë vendimin e komisionit pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendos për pranimin ose refuzimin e ankimit të punonjësit. Në rast pranimi, kërkesa për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar i kthehet për rishqyrtim komisionit.”, thuhet në vendim.

Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë, që ka përfituar kompensim të menjëhershëm financiar, është i detyruar të kthejë në masën 100 % shumën e përfituar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme