Kremtimet e Pashkës, mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë mbushin kishat në të gjithë Shqipërinë

Aktualitet | 2 vite më parë

Mijëra besimtarë katolik dhe ortodoksë, në të gjithë Shqipërinë, kremtojnë sonte (e shtunë) Pashkët. Besimtarët katolikë dhe ata ortodoksë kremtojnë Pashkët, që është momenti më i madh në kalendarin liturgjik. Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti, shpresën për të gjithë besimtarët. Në të gjitha kishat katolike të vendit mbahet sonte mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse. Duke filluar nga ora 22:00 ka nisur edhe mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë, e cila drejtohet nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Imzot Arjan Dodaj.

Kremtimi ka nisur sonte edhe me meshën e shenjtë të ngjalljes së Jezu Krishtit që do të mbahet në çdo kishë ortodokse në vend. Në Tiranë, mesha do të kremtohet në Katedralen Ngjallja e Krishtit, nën drejtimin e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani.

Këtë vit edhe besimtarët ortodoksë edhe ata katolikë e festojnë Pashkën në të njëjtën ditë – më 20 prill. Një rastësi e tillë nuk ndodh shpesh, pasi kishat lindore dhe perëndimore përdorin kalendarë të ndryshëm (Julian dhe Gregorian), por këtë vit datat përputhen.

Festimi i fundit i Pashkëve në të njëjtën ditë ka qenë në vitin 2017, ndërsa tjetri do të jetë më 16 prill 2028.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme