Berisha: Rindërtojmë në Pukë infrastrukturën më moderne. Shohim me përparësi tunelin Rreps-Gjegjan

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka zhvendosur këtë të hënë fushatën elektorale në Pukë, ku ka bërë edhe prezantimin e kandidatëve të “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka premtuar rindërtimin e infrastrukturës më moderne në Pukë, ndërsa deklaroi më tej se partia të cilën ai drejton, nëse del fitimtare në zgjedhjet e 11 majit, do të ketë në fokus kryesor tunelin Rreps-Gjegjan.

“Do rindërtojmë në Pukë infrastrukturën më moderne. Do shohim me përparësi tunelin Rreps-Gjegjan.

Ata që mund të rrudhin buzët kur e dëgjojnë këtë premtim, ata nuk njohin Pukën, potencialet e saj përrallore, nuk njohin pasuritë e saj të mëdha. Nuk njohin shpirtin punëtor të pukjanëve të mençur.

Çdo fermer do të subvencionohet për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi”, tha ai, ndërsa vijoi premtimet për pesëfishimin e subvencioneve për fermerët e Pukës.

Ai theksoi se nëse PD vjen në pushtet, do të dyfishojë prodhimin bujqësor në 4 vite.

Ndërkaq, kreu demokrat sulmoi qeverinë përmes skemës së pensioneve, duke thënë se arsyeja përse shqiptarët kanë pensionet më të ulëta se rajoni, lidhet me korrupsionin qeveritar,.

“Çfarë ndodhi? Si ne ramë në këtë mënyrë? Pse të tjerët na tejkaluan me pensione tre herë? Pse malazezi që merrte në vitin 2013, 138 mijë lekë pensionin, pra më të ulët se shqiptari, e merr sot 450 mijë lekë pensionin?

Pse maqedonasi që merrte në vitin 2013 një pension 130 mijë lekë, merr sot një pension 330 mijë lekë?

Pse serbi, që merrte në vitin 2013 një pension nën 140 mijë lekë, merr sot 405 mijë lekë pension?

Pse këto? Si ka mundësi?

Ka vetëm një arsye. Qeveritë e këtyre vendeve, paratë më së pari ua kthejnë atyre që ua marrin, ua kthejnë qytetarëve. Ua kthejnë me rroga, pensione, ndihmë ekonomike dhe shërbime.

Edi Rama, i zhytur me ministrat e tij në vjedhje dhe korrupsion të paimagjinueshëm, pati pashpirtësinë të ndajë nga 8 miliardë euro për 760 mijë gra e burra të thinjur, të moshuar, gjithsej  16 milionë”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme