Delegacioni i Hamasit shkon në Kajro për të kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës

Një delegacion i Hamasit është nisur për në Kajro për të diskutuar me ndërmjetësit “ide të reja” për një armëpushim në Rripin e Gazës pas 18 muajsh lufte.
Delegacioni, i cili përfshin kryenegociatorin e Hamasit, Khalil al-Haya, “do të zhvillojë takime me zyrtarët egjiptianë për ide të reja për të arritur një armëpushim” në enklavën palestineze, disa ditë pasi Hamasi refuzoi një propozim izraelit për një armëpushim të përkohshëm.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë palestinez me njohuri për negociatat i tha BBC-së se ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti kishin propozuar një formulë të re për përfundimin e luftës në Gaza.
Sipas tij, propozimi i ri kërkon një armëpushim që zgjat pesë deri në shtatë vjet, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, përfundimin zyrtar të luftës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga enklava palestineze.
Takimi vjen disa ditë pasi lëvizja hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit, i cili përfshinte kërkesën për çarmatosjen e Hamasit në këmbim të një armëpushimi gjashtë-javor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të shtunën e 19 prillit, se nuk do t’i jepte fund luftës derisa Hamasi të shkatërrohej dhe të gjithë pengjet të ktheheshin. Hamasi kërkoi që Izraeli të angazhohet për t’i dhënë fund luftës përpara se të lirohen pengjet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



