Aktivistët e Vjosës fitojnë Çmimin “Goldman” për Mjedisin
Çmimi “Nobel i Mjedisit” për këtë vit erdhi në Shqipëri dhe ai u fitua nga dy aktivistë, që kanë promovuar dhe mbrojtur Vjosën nga ndërtimi i hidrocentraleve, duke arritur që lumi të shpallet i egër, ndërsa zona një Park Kombëtar.
Bëhet fjalë për Olsi Nikën dhe Besjana Gurin, të cilët për më shumë se 10 vite kanë synuar ruajtjen dhe mbrojtjen e Vjosës.
Dy vite më parë u arrit statusi i veçantë, i cili siguroi mbrojtjen e 270 kilometrave të lumit Vjosa në rrjedhën e lirë përmes Shqipërisë, si dhe të degëve të tij, duke përfshirë gjithsej 400 kilometra të korridoreve të egra lumore.
Ceremonia e dhënies së çmimit u organizua San Francisko, ku dy aktivistët shqiptarë morën vlerësimin më të lartë që jepet në botë për aktivistët e mjedisit.
Ceremonia prestigjioze mblodhi mbi 3.000 aktivistë mjedisorë, liderë të komunitetit, filantropë dhe figura publike nga e gjithë bota, në Javën e Tokës.
Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Franciskos, Richard dhe Rhoda Goldman.
Fituesit e Çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë.
Gjatë 36 viteve, Çmimi Goldman ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




