Ndotja e ajrit, problematike zonat me trafik të rënduar dhe intensitet ndërtimesh
Raporti i cilësisë së ajrit dhe ndotjes akustike paraqet gjetjet kryesore të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe ndotjes akustike në qytetin e Tiranës, bazuar në metodologjinë alternative të monitorimit të zhvilluar nga Co-PLAN në kuadër të projektit GreenAL.
Monitorimi u krye në 13 stacione të vendosura në zonat urbane për të analizuar përqendrimet e ndotësve kryesorë.
Menaxheri e projektit, Imeldi Sokoli, tregon se në pikat ku rezultatet treguan ndotjen më të lartë, janë ndikuar nga trafiku i rënduar dhe ndërtimet.
“Ka zona që janë dhe që dalin gjithmonë në parametra të larta në të gjitha periudhat e kohës sa i përket normës së ndotjes së ajrit. Këtu përmendim “Kryqëzimin e 21 Dhjetorit” dhe “Zogun e Zi”. Kemi edhe zona të tjera që janë të luhatshme, por që në periudha të caktuara kanë ndotje të konsiderueshme, siç është zona e “Mihal Grameno” ose zona e ish-stacionit të trenit”, u shpreh Sokoli.
Ndërkohë, edhe sa i përket ndotjes akustike, gjithashtu janë pothuajse të njëjtat zona që paraqesin shifrat më të larta, ndërkohë që në sezonin veror në kryeqytet shtohen pikat me ndotje akustike.
“Ka dhe pika të caktuara që gjatë verës, sikurse sheshi “Italia”, i cili mund të aksesohet prej turistëve, ka nivele më të larta të zhurmës. Po ashtu, pjesa e ”Pazarit të Ri” dhe e kalasë ka aktivitet të shtuar të zhurmës gjatë ditës, pasi gjatë natës është më e qetë”, shto ai.
Rrjeti i monitorimit për vitin 2025 do të zgjerohet në gjashtë bashki të vendit.
“Planifikojmë ta masim cilësinë e ajrit dhe zhurmës në gjashtë qytete të Shqipërisë: në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër dhe Korçë”, tha ai.
Monitorimi i cilësisë së ajrit dhe ndotjes akustike vijon në kryeqytet që prej vitit 2018.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




