Kosovë, Albulena Haxhiu nuk arrin të sigurojë votat për kryeparlamentare për herë të tretë

Kosovë | 2 vite më parë

Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar sërish të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare e Kuvendit të Kosovës, për herë të tretë. Gjatë seancës së mbajtur këtë të mërkurë, Haxhiu mori 57 vota pro, 46 kundër dhe 3 abstenuan, duke mos arritur shumicën e nevojshme për të marrë postin e Kryeparlamentares.

Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, njoftoi se seanca e ardhshme do të mbahet të premten në orën 11:00. Pavarësisht thirrjes së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, që të mbështeten dhe votohet Albulena Haxhiu për të zhbllokuar situatën dhe për të mundësuar konstituimin e Kuvendit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) votoi sërish kundër, ndërsa deputetët e Nismës abstenuan.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi ndërmjet partive politike për të zhbllokuar situatën e krijuar në Kuvend.

“Shpresoj që të reflektohet dhe të ketë një ndryshim në seancë. Konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e një partie, por përgjegjësi e secilit deputet. Formimi i qeverisë i takon partisë fituese që t’i sigurojë 61 vota së paku, mirëpo konstituimi i kuvendit është barrë dhe përgjegjësi e të gjithë deputetëve. Pra të gjithë deputetët duhet të votojnë dhe duhet të sigurohemi që kuvendi të konstituohet sepse pastaj fillojnë edhe afatet për formimin e qeverisë”, tha ai.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin, duke theksuar se është detyrë e mazhorancës të sigurojë 61 vota për kandidatin e saj për Kryeparlamentar dhe se Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja përgjegjëse për bllokimin e procesit.

“Rregullorja e Kuvendit e qartëson saktë, këta e kanë një kandidatë, është obligim i mazhorancës me i sigurua 61 vota pa Albulena Haxhiun. Nuk është obligim i asnjë partie tjetër me e votuar këtë mazhorancë dhe kryetarin e kuvendit. Bllokues i këtij procesi është Lëvizja Vetëvendosje, është Albin Kurti”, u shpreh ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme