“Nuk kam asnjë raport personal me Edi Ramën”, Basha tregon kushtet për koalicion paszgjedhor
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH 1 u shpreh se ajo që e diferencon grupimin e tij me partitë e tjera politike është qëndrimi i qartë kundër korrupsionit dhe mbështetjes për SPAK-un.
I pyetur për mundësinë e koalicionit paszgjedhor me një nga partitë e mëdha, sikurse janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, Basha tha se “mitet po bien njëra pas tjetrës dhe mitet e të ashtuquajturave parti të mëdha janë në rënie. Pa diskutim që ne jemi të hapur që të bashkëpunojmë politikisht pas zgjedhjeve me të gjitha ato parti që ndajnë vlerat tona, parimet tona dhe që janë afër programit tonë. Ne kemi tri kushte për këtë bashkëpunim: kushti i parë, asnjë bashkëpunim me të korruptuarit; kushti i dytë, asnjë bashkëpunim me ata që nuk i japin 100% mbështetje SPAK; kushti i tretë, asnjë bashkëpunim me ata që nuk kanë linjëzim strategjik 100% me partnerët tanë strategjikë, që janë aleatët euroatlantikë, SHBA, Britania e Madhe dhe BE.”
Sipas Bashës, as kryeministri Edi Rama dhe as kryedemokrati Sali Berisha nuk i plotësojnë kushtet e tij për një bashkëpunim. “Asnjë nga ata nuk kanë çfarë t’i japin më Shqipërisë. Rama qartësisht e ka mbyllur ciklin e tij politik tashmë prej 12 vitesh,” tha kreu i Demokratëve Euroatlantikë.
Basha i bëri thirrje elektoratit që vota e 11 majit të jetë votë pro SPAK-ut për të mbajtur në burg të korruptuarit dhe për të shtuar radhët e tyre para drejtësisë.
“Vota për numrin 5 është votë kundër SPAK-ut, që do të kërkojë të nxjerrë nga burgu shokët 7 x 7 = 313,” tha, Basha duke iu referuar Partisë Socialiste, e cila mban numrin 5 në fletën e votimit. “Ndërsa vota për numrin 1 është votë për të nxjerr nga burgu Ilir Metën,” shtoi ai për Partinë Demokratike.
Basha hodhi poshtë zërat që ka komunikim me kryeministrin Rama. “Nuk kam pasur asnjëherë asnjë raport personal me Edi Ramën. Kurrë. Asnjëherë!“
Duke u ndalur në fushatën zgjedhore, Basha tha se problemet që ai denoncon janë problemet e gjithë Shqipërisë, edhe të rinisë shqiptare.
“Në përgjithësi jemi të inkurajuar nga mbështetja që gjejmë nga të rinjtë në veçanti, por dhe tek votuesit që votojnë për herë të parë. Kudo ku shkoj në takime me të rinjtë ata përsërisin mesazhet e mia, ‘Ku i ke shokët’ dhe ‘7 x 7=313’, të cilat janë bërë himn për antikorrupsionin,” tha Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




