26 prilli shpallet ditë zie kombëtare në nder të Papa Françeskut

Aktualitet | 2 vite më parë

Këshilli i Ministrave ka shpallur të shtunën, 26 prill 2025, ditë zie kombëtare në nder të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë më 21 prill.

Në shenjë dhimbjeje, respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë. Gjithashtu, stacionet radiotelevizive, publike dhe private, janë ftuar që gjatë gjithë ditës të transmetojnë muzikë funebër.

Papa Françesku, i njohur për përulësinë dhe përkushtimin e tij ndaj të varfërve e të margjinalizuarve, kishte kërkuar një varrim të thjeshtë, larg praktikave tradicionale. Ai do të jetë Papa i parë pas më shumë se një shekulli që nuk do të prehet në kriptën e Vatikanit, por në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, pranë ikonës së tij të preferuar të Madonës.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe do të udhëhiqet nga Kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit Kardinalor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme